QUINT-i thirrje për rikthim të dialogut, i kërkon Serbisë të ndalë propagandën kundër Kosovës

Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe ajo e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të rinisin bisedimet.

Përmes një njoftimi për medie, shtetet e QUINT-it kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të rinisin menjëherë bisedimet.

Ambasadorët e SHBA-së, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe e Mbretërisë së Bashkuar, kanë thënë se për të nisur ky proces, Kosova duhet ta heq taksën ndaj Serbisë.

Shtetet e Quint-it i kanë kërkuar Serbisë që ta ndalë fushatën për heqjen e njohjeve ndaj Kosovës.

Deklarata e plotë pa ndërhyrje:

Qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të bashkuara në qëllimin për të parë normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, politikisht të qëndrueshme dhe ligjërisht detyruese që i kontribuon stabilitetit rajonal.

Status quo pengon përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian (BE) dhe thjeshtë nuk është e qëndrueshme. Pas viteve të tëra të ngecjes ka ardhur koha që më në fund të përmbyllen konfliktet e viteve të 90-ta dhe të ofrohet një e ardhme e sigurt dhe e begatshme për qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë duke negociuar në mirëbesim një marrëveshje që mund ta mbështesin të dy palët.

Prandaj, i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë të rifillojnë dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe kërkojmë nga të dy palët të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare, e cila është e nevojshme për të dy vendet për të arritur integrim më të madh euro-atlantik dhe përfitimet përcjellëse.

Ne jemi të gatshëm të forcojmë rolin tonë në këtë proces në përkrahje të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, por mund ta bëjmë një gjë të tillë vetëm kur ju të jepni shenja të gatishmërisë për kompromis, për heqjen e pengesave dhe rifillimin e bisedimeve. Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë. Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për heqjen e njohjeve kundër Kosovës.

Ne dëshirojmë të shohim që njerëzit e Kosovës dhe të Serbisë të përfitojnë nga paqja e qëndrueshme dhe të kenë mundësi të ndërtojnë të ardhmen e tyre. Jemi të gatshëm të ndihmojmë në çfarëdo mënyre. 

SHPËRNDAJE