Qeveria: Trupat e kërkim-shpëtimit të FSK-së të gatshme ta ndihmojnë Maqedoninë

Qeveria e Republikës së Kosovës, thotë se i kanë përcjellë me shqetësim dhe dhimbje të madhe ngjarjet e shkaktuara nga moti i lig, që kanë ndodhur orët e fundit në Maqedoni.

“Qeveria e Kosovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për qytetarët dhe Qeverinë e Maqedonisë si dhe për familjarët e viktimave të kësaj tragjedie natyrore”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Me këtë rast, Qeveria e Kosovës shpreh gatishmërinë e plotë që të ofrojë ndihmën e saj të pakursyer për shtetin fqinj Maqedoninë, në çdo aspekt ku ka mundësi, për tejkalimin sa më të shpejtë të situatës së krijuar.

Qeveria e Kosovës, po ashtu, thekson gatishmërinë për të dërguar në ndihmë njësite të specializuara për kërkim dhe shpëtim në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në rast nevoje.