Qeveria planifikon të shpenzojë 10 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve nga Gjykata Speciale

Deri në 10 milionë euro pritet të shpenzojë Qeveria e Kosovës, për dy vite në mbrojtjen e të personave të ftuar nga Specialja.

Fillimisht Qeveria e Kosovës, në vitin 2016 ka ndarë shumën prej 1.5 milion eurove për shpenzimet e të akuzuarve nga Gjykata Speciale. Por kjo shumë duket se nuk ka mjaftuar pasi që Zyra e Kryeministrit ka ndarë fshehtasi edhe 70 mijë euro tjera për shpenzimet e Sami Lushtakut, Sylejman Selimite, Mahir Hasani dhe dajës së tij Lahi Brahimaj.

40 mijë euro i ka ndarë vetëm për dajën e tij, Lahi Brahimaj dhe 30 mijë për tre të tjerët, shkruan Insajderi.

Këtë e ka bërë në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen Juridike dhe Financiare të personave të akuzuar nga Specialja. Ky ligj e parasheh se fondi mund të shfrytëzohet vetëm pasi të ngritën aktakuzat.

Shteti me taksat e qytetarëve parasheh që të shpenzoj për “Procesin e Dhomave të Specializuara” shumën prej 10 milionë eurove, deri në vitin 2020 në mbrojtje të krimeve të supozuara të komandantëve të UÇK-së.

Këtë parashikim e ka bërë Ministria e Financave në planin afat mesëm dy vjeçar, shkruan Insajderi.

“Funksionalizimi i gjykatës speciale ka sjellë 10 milion Euro shtesë”, thuhet në planin e ministrisë së Financave.

Shpenzimet e para të 10 milionëshit kanë nisur që nga fillimi i këtij viti. Me vendimet e qeverisë të shkurtit dhe marsit të këtij viti, kanë përfituar tre komandantë të profilit të lartë dhe një i profilit të ulët.

Në dy vendime të ndara, 70 mijë euro Qeveria e Kosovës i ka ndarë për Sami Lushtakun, Sylejman Selimin, Lahi Ibrahimajn dhe Mahir Hasanin.

Që të tre këta komandantë kanë të deklaruar pasuri milionëshe.

Portali i ka siguruar këto vendime të cilat nuk janë bërë publike nga ana e Qeverisë. Në vendimin e datës 19 mars, Qeveria e Kosovës ka ndarë 40 mijë euro për mbrojtjen e Lahi Ibrahimajt, dajës së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Zyra e Kryeministrit, ende nuk ka treguar për Insajderin se pse ka ndarë këto para në fshehtësi dhe në kundërshtim me ligjin Ligjin për Mbrojtjen Juridike dhe Financiare të personave të akuzuar nga Specialja.