Qeveria nuk tregon nëse do të respektojë afatin e BE-së për statutin e Asociacionit

Qeveria e Kosovës nuk ka treguar nëse do të respektojë afatin e vënë nga Bashkimi Evropian për formimin e statutit të Asociacionit për komunat me shumicë serbe.

Bashkimi Evropian duke përshëndetur fillimin e punës për hartimin e statutit, në prill të këtij viti kishte thënë se procesi do të përfundoj brenda 4 muajve, që i bie që statuti i Asociacionit të përfundojë në gusht.

“Procesi i hartimit të Statutit ka filluar dhe do të bëhet brenda një afati kohor prej katër muajsh. Ky hap i shumëpritur lejon zbatimin e Marrëveshjes së Dialogut mbi Shoqatën / Komunitetin e komunave me shumicë serbe, e cila është një detyrim që Kosova ndërmori në dialogun e lehtësuar të BE-së, marrëveshjet e Brukselit të Prillit 2013 dhe Gusht 2015”, thuhej në njoftimin e BE-së.

Por, Qeveria e Kosovës nuk ka përmendur afate kohore se kur do të përfundojë hartimi i statutit për Asociacionin.

Të pyetur nga lajmi.net ekzekutivi ka thënë se statuti do të vlerësohet nga Gjykata Kushtetuese dhe tek atëherë do të nisë së funksionuari Asociacioni.

“Statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe pas draftimit do të vlerësohet nga Gjykata Kushtetuese nëse është në frymën e Kushtetutës së vendit, dhe tek atëherë do të fillojë funksionalizimi i këtij asociacioni, i cili do të jetë ekskluzivisht sipas dispozitave të Kushtetutës së Republikës dhe ligjeve të Kosovës”, thuhet në përgjigjen Zyrës për Komunikim për lajmi.net.

Qeveria e Kosovës ka formuar një ekip menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit, i cili më shumicë përbehet nga serbët. Ky ekip vazhdimisht ka përsëritur se Asociacioni duhet të formohet në bazë të marrëveshjes së Brukselit.

Nga të njëjtit, javë më parë Qeverisë së Kosovës në alfabetin ‘cirilik’ i është dërguar një raport pune lidhur më hartimin e statutit të Asociacionit, por këtë raport kryeministri Haradinaj e ka kthyer mbrapa, duke kërkuar që ai të shkruhet në gjuhët zyrtare të Kosovës.

Edhe Bashkimi Evropian ka thënë se statuti për Asocacionin duhet të jetë sipas marrëveshjes së Brukselit dhe ligjeve të Kosovës.

Ndërsa, Gjykata Kushtetuese e Kosovës për marrëveshjen e Asocacionit në Bruksel kishte vlerësuar se mbi 20 nene të saj janë në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Marrëveshja fillestar e gushtit të vitit 2015 për Asocacionin ishte kundërshtuar ashpër nga paritë opozitare në atë kohë, kur përveç Vetëvendosjes ishin edhe AAK e Nisma.