Qeveria: Nuk do të vonohet shumë riprocedimi i demarkacionit

Bojkotimi i institucioneve të Kosovës nga ana e Listës Serbe ka zbehur edhe më shumë mundësinë e riprocedimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës. Zyrtarët e Qeverisë nuk japin ndonjë datë të saktë, por thonë se nuk do të vonohet shumë riprocedimi në Kuvend i marrëveshjes, ndonëse ratifkimi i saj varet nga vota e Listës Serbe, ngase kërkohet vota për e të paktën 80 deputetëve.

Tani kur me bojkotimin e Listës Serbe, koalicioni qeverisës mbetet minus 11 vota, riprocedimi i ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi në Kuvend duket edhe më i largët. Kjo për faktin se pa këtë listë, koalicioni qeverisës mbetet me 73 vota. Madje edhe sikur të votonin pro marrëveshjes 6 deputetët që janë pa grup, prapë marrëveshja nuk do të kalonte.

Por, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë shpresa se Lista Serbe do të reflektojë dhe do t’u kthehet institucioneve. Këshilltari për media i kryeministrit Isa Mustafa, Faton Abdullahu, thotë se nuk do të ketë zvarritje të pajustifikueshme të kësaj çështje, por do të riprocedohet në momentin që partnerët e koalicionit do të konsiderojnë se janë pjekur kushtet.

“Qeveria beson shumë se ata do të reflektojnë, do të kthehen dhe do jetë shtytje për të gjitha zhvillimet, ndërkohë që do të jetë edhe ndihmesë për ta riproceduar tutje demarkacionin”, tha Abdullahu për Radio Kosovën.

Lista Serbe ka vendosur t’i bojkotojë institucionet e Kosovës pas miratimit në Kuvend të Ligjit për Trepçën. Derisa të kthehen në Kuvend, demarkacioni me gjasë nuk do të procedohet. E kryeministri Mustafa ka thënë se pret që të ndodhë shkrirja, ngase sipas tij, askush nuk ka llogari ta ngrijë koalicionin. Për atë se kur do të kthehet Lista Serbe në institucione ka folur shefi i Grupit Parlamentar, Slavko Simiq.

“Vendimin për pjesmarrjen tonë, ose jo, në instucionet e Kosovës do ta marrin në kosultime me Qeverinë e Serbisë, instucionet e Kosovës dhe të gjithë faktorët tjerë ndërkombëtarë. Pra dëshirojmë një konsensus të gjërë që rreth çështjës së Trepçës të merren njerëzit profesionistë e jo të prejudikohen të drejtat, statusi dhe pronësia e Trepçës“, ka thënë Simiq.

Këshilltari i kryeministrit Mustafa, Faton Abdullahu e konsideron të pajustifikueshëm largimin e Listës Serbe.

“Ky largim i kësaj natyre nuk shkon në dobi të kurrfarë procesi, e as të demarkacionit, por ajo që ne besojmë është se ata duhet të reflektojnë dhe ta kenë parasaysh se edhe çështja e Trepçës nuk ka qenë kurrfarë justifikimi që ata të largohen”, tha Abdullahu.

Për çështjen e demarkacionit, zyrtarë nga radhët e PDK-së kanë thënë se mund të arrihet koncensus me opozitën, sidomos me AAK-në dhe Nismën për Kosovën. Por zyrtarë nga dy subjektet e boshtit opozitar kanë theksuar se koncensusi mund të arrihet vetëm për rikthimin e marrëveshjes në pikën zero.