Qeveria nuk ka formulë të re për demarkacionin, pret vendimin e Kuvendit

Qeveria e Kosovës ka mohuar se është duke përgatitur një formulë të re për marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, me të cilën siç është raportuar në media marrëveshjes kur të shkojë për ratifikim në Kuvend, do t’i bashkëngjitet edhe një deklaratë zotimi se do të diskutohen çështjet e kontestuara.

Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi ende nuk është ratifikuar në Kuvend, për shkak se marrëveshja aktuale po cilësohet si e dëmshme për Kosovën, pasi nga kundërshtuesit e saj po thuhet se Kosova humb territor.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të premten e kaluar tha se janë duke punuar për një formulë sa i përket ratifikimit të demarkacionit, i cili do t’i hapte rrugë liberalizimit të vizave.

“Po punojmë për liberalizim. Është e ndërlidhur me demarkacionin. Jemi në kërkim të formulës me ndodh liberalizimi”, ishte shprehur kryeministri.

Por, nga Zyra e Kryeministrit për lajmi.net kanë thënë se kjo nuk të bëjë asgjë me raportimet në media, e cila ka të bëjë me nxjerrjen e një deklarate të përbashkët ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Malit të Zi, në të cilën theksohet gatishmëria për ta rinegociuar marrëveshjen.

“Procedimi i projektligjit ne Kuvend është puna konkrete qe qeveria e ka bere. Është ne pritje te asaj se çka do te vendos kuvendi. Nuk ka nisna te tjera”.“Formula të cilës ju po i referoheni ka të bëjë me faktin, që në afat prej 100 ditësh të punës së Kryeministrit, projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, së bashku me raportin dhe gjetjet e Komisionit, është dërguar në Kuvendin e Kosovës.

Tani është në duart e Kuvendit dhe të deputetëve edhe projektligji edhe raporti”, thuhet në përgjigjen e kryeministrisë për lajmi.net.Një formulë për zgjidhjen e çështjes së shënjimit të vijës kufitare me Mali e Zi e ka proklamuar në deklarimet e tij, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj.

Ai ka thënë se janë duke punuar për një marrëveshje e cila do të duartrokitet nga të gjithë deputetët.“Ne po punojmë që kur të shkojmë në Parlament të gjithë t’i duartrokasin variantit që do ta dërgojmë. Do të duartrokitet nga qytetarët e Kosovës po edhe nga miqtë tanë.

Dhe përfundimisht ta mbyllim këtë temë”, kishte deklaruar Limaj.Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, së bashku me raportin e Komisionit të ri të formuar nga kryeministri Haradinaj është dërguar në Kuvend.

Ai është shqyrtuar nga Komisioni për Punë të Jashtme, i cili tash pritet t’i dërgohet Kryesisë së Kuvendit, e cila më pas do ta procedojnë për në seancë plenare.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, në një intervistë për lajmi.net, kishte deklaruar se numri i deputetëve për përkrahin marrëveshjen aktuale të demarkacionit është rritur. Ai kishte thënë se presin që në he presim që në javën e tretë apo të katërt të diskutohet për këtë temë në një nga seancat e Kuvendit të Kosovës.

Marrëveshja e 25 gushtit të vitit 2015 e nënshkruar në Vjenë mes Kosovës dhe Malit të Zi për përcaktimin e vijës kufitare, vazhdon të kundërshtohet nga Vetëvendosje, AAK e Nisma, gjë e cila e bënë të pamundur që ky version të kalojë në Kuvend.

Nga ana tjetër Mali i Zi deri tash ka kundërshtuar çdo mundësi që kjo çështje edhe një herë të kthehet në tavolinë, duke e konsideruar si të mbyllur.