Qeveria ndan mjetet për KQZ-në, ua ndalon mëditjet

Qeveria e Kosovës ka ndarë buxhetin për zgjedhjet në Podujevë.

Ministri i Financave, Besnik Bislimi ka bërë të ditur se kërkesa e KQZ-së së bashku me PZAP-në arrin shumën e 510 mijë eurove duke përfshirë të gjitha shpenzimet për shërbime dhe mallra dhe mëditjet shtesë.

“Ne si ministri jemi shokuar me mënyrën dhe profesionalizmin e KQZ-së në përpilimin e kërkesës dhe planifikimin e shpenzimeve”, është shprehur Bislimi, duke kërkuar që të mos aprovohen mjetet financiare për mëditje shtesë.

Ministri Bislimi është shprehur se kërkesa për pagesë për meditje shtesë prej 18 mijë euro nga KQZ është e paligjshme dhe e pakuptueshme.

“Si ministri kërkojmë të refuzohet kërkesat e PZAP-së dhe KQZ-së për shpenzime shtesë dhe meditje”, tha Bislimi.

Me këtë kërkesë të Bislimit nuk u pajtua zëvendëskryeministri Hoti i cili tha se duhet të aprovohet buxheti siç është kërkuarn ga KQZ, por kërkesa e tij nuk u morr parasysh.

“Unë dëgjova me kujdes ministrin e Financave dhe sigurisht e mbështes për kujdesin që tregon ndaj financave publike përveç se thash të kujdesemi si anëtar të qeverisë që të mos japim kualifikime që mund të jenë bindje personale por të pabazuara. Ju e keni autorizimin të veproni si agjent fiskal dhe të jeni të kujdesshëm që shpenzimet të bëhen në përputhje me rregulloren. Duke qenë se KQZ-ja është e pavarur nga qeveria dhe kryen një obligim kushtetues duhet të sigurohemi që t’ia ndajmë mjetet e nevojshme. Unë jam që ne të mbështesim kërkesën e KQZ-së ashtu siç ka ardhur por që ju të kujdeseni se si po shpenzohen këto mjete”, tha Hoti.