Qendrat e UP-së e përfaqësojnë Kosovën në Samitin e Stambollit në Turqi

Qendra për të Drejtat e Njeriut (QDN) dhe Qendra e Burimeve të Drejtësisë Tranzicionale (QBDT), të cilat veprojnë në kuadër të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, e përfaqësuan Kosovën në Samitin e Asociacionit të Juristëve të Universitetit të Marmarës, në Stamboll të Turqisë.

Tema kryesore e edicionit të dytë të këtij samiti ishte aktivizimi studentor dhe partneriteti, me ç’rast institucionet dhe organizatat universitare prezantuan punën e tyre, projektet e realizuara dhe mundësitë për bashkëpunim.

Adenit Hoti dhe Shkurta Hodolli e përfaqësuan QDN-në, ndërsa Besnik Beqaj dhe Fortuna Sahiti e përfaqësuan QBDT-në, të cilët njëherësh patën rastin që ta promovojnë edhe Kosovën në këtë samit.

Adeniti tha se ndjehet krenar që, bashkë me kolegët e tij, e përfaqësoi UP-në dhe Kosovën në këtë samit.

“Për ne është një sukses i madh fakti që kemi arritur t’i anëtarësojmë dy qendrat tona në një samit të tillë dhe të gjejmë hapësirën që kemi siguruar për promovimin e Kosovës”, tha ai.

Pjesëmarrësi tjetër, Besniku, tha se ky samit ishte mundësi e mirë për krijimin e bashkëpunimeve të tjera.

“Ishte kënaqësi që kishim mundësi të prezantonim punën e QBDT-së dhe të krijonim mundësi të reja bashkëpunimi me pjesëmarrësit në këtë samit, duke synuar zhvillimin e bashkëpunimit ndër rajonal dhe me këtë jetësimin e qëllimeve tona si qendër dhe si individ gjithashtu”, tha ai.

Samiti i Asociacionit të Juristëve të Universitetit të Marmarës u mbajt gjatë ditëve 8-10 nëntor në qytetin e Stambollit, qëllimi i së cilit ishte forcimi i bashkëpunimit ndër rajonal përmes të rinjve të fushave të ndryshme.