PZAP nis shqyrtimin e ankesave të LDK-së dhe PDK-së

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka filluar shqyrtimin e ankesave të partive politike, pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Kryesuesi i Sekretariatit të PZAP-it, Mulë Desku në një prononcim për Telegrafin tha se vendimet në lidhje me ankesat e partive politike kanë kohë të merren deri të dielën.

“Kemi afat kohor prej 72 orëve për t’i shqyrtuar këto ankesa”, ka thënë Desku.

Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) një ditë më parë ka bërë dorëzimin e katër ankesave për këto komuna: Kamenicë, Dragash, Prishtinë dhe Istog.

Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është ankuar për Prizrenin.

Ndërkaq, një ditë më parë PDK në një konferencë për media ka pretenduar se procesi zgjedhor në Prizren është manipuluar. Edhe LDK në një konferencë për media ka thënë se përpos që procesi është manipuluar në Prishtinë, ata thanë po ashtu se vendimi për rivotim në Komunën e Istogut nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), është në kundërshtim me ankesën e LDK-së.