Putin thotë se SHBA-ja ia prishi matematikat për Kosovën, fajëson BE-në për FSK-në

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka dhënë një intervistë për gazetën e njohur Beogradase, “Novosti”, një ditë para vizitës në Serbi. I pari i Rusisë, në këtë intervistë të gjatë, ka folur për problemet në botë, Evropë & Rajon si dhe në theks të veçantë rreth çështjes së Kosovës me Serbinë. Putin, ndër të tjera, thotë se amerikanët po ia “prishin matematikat” në vendet e Ballkanit. “… kur flasim për situatën në Ballkan, një faktor serioz destabilizues këtu është politika e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të caktuara perëndimore, që kanë për qëllim forcimin e dominimit të tyre në rajon. Në vitin 1999, forcat e NATO-s bombarduan Jugosllavinë pa një sanksion të OKB-së për dy muaj e gjysmë dhe pastaj e ndanë me forcë Krahinën Autonome të Kosovës. Ndërsa, në vitin 2008, Uashingtoni dhe aleatët e saj mbështetën një deklaratë të paligjshme të pavarësisë së Kosovës”, është shprehur ai, transmeton Indeksonline Duke folur për vendet e rajonit, Putin theksoi se Moska zyrtare mbetet e përkushtuar të respektojë të drejtat dhe interesat e vendeve dhe kombeve të Ballkanit, për të respektuar ligjet ndërkombëtare. Tutje, presidenti rus foli edhe për formimin e ushtrisë së Kosovës. Sipas tij, kjo është një shkelje dhe se BE-ja gaboi që nuk mori masa ndaj këtij vendimi të Prishtinës. “Serbia mund të llogarisë gjithmonë në mbështetjen e Rusisë sa i përket potencialiet të mbrojtjes, edhe pse janë të rrethuar me shtetet anëtare të NATO-s. Është befasi se si shumë shtete të rajonit e përkrahën formimin e të ashtuquajturës ushtrisë së Kosovës”, është shprehur ai. Në fund, Putin potencoi se vlerëson shumë angazhimin e fortë të udhëheqjes serbe në rrugën e ruajtjes së neutralitetit të vendit. “Ne do të vazhdojmë të zhvillojmë bashkëpunimin ushtarak-teknik. Unë nuk do të fsheh faktin se më ka befasuar heshtja e Bashkimit Evropian në lidhje me vendimin e “Parlamentit” të Kosovës në transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një ushtri të vërtetë. Sepse është e qartë se serbët që jetojnë në këtë krahinë kanë përjetuar një veprim të tillë si një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e tyre. Përndryshe, kjo lëvizje krijon një rrezik serioz të situatës në rajon. Pra, nuk është në interes të BE të mbyllë sytë me veprime të tilla të njëanshme, të cilat shkelin rëndë të drejtën ndërkombëtare, sidomos nëse Brukseli llogaritet që të vazhdojë të përmbushë detyrimet e saj si ndërmjetës në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës”, ka deklaruar ai.