Pushime me familjen në Hawaii, kryeministri australian kërkon falje

Kryeministri australian, Scott Morrison ka kërkuar falje për pushimet e tij në Hawaii, teksa kriza me zjarret në vend është përkeqësuar.

Morrison tha se do të kthehet më herët nga pushimet, pasi mungesa e tij këtë javë ka nxitur kritika të shumta dhe protesta.

“Ndjej keqardhje të thellë për ofendimin e shkaktuar tek ndonjë australian i prekur nga zjarret e tmerrshme, duke shkuar në pushime me familjen time në këtë kohë”, ka thënë ai.

Kujtojmë se Australia përballet me zjarre prej disa javësh. Ekipet e shpëtimit janë duke luftuar më shumë se 100 vatra, të cilat janë përhapur edhe më shumë në kohën kur Australia është përballur me dy ditët më të nxehta në histori.

Si pasojë e krizës me zjarre nga muaji shtator, në Australi kanë vdekur tetë persona dhe janë shkatërruar më shumë se 700 shtëpi, ndërsa temperaturat në disa shtete kanë arritur në mbi 45 gradë Celsius këtë javë.

Të premten në Viktoria është regjistruar temperatura më e lartë gjatë muajit dhjetor, 47.4 gradë Celsius./Opinion.al