Punëtorët kërcënojnë me protesta, KEK-u thotë se kërkesa për rritje pagash jo racionale

Rritja e kostos së shpronësimeve në Shipitullë dhe në një lagje të fshatit Hade, ka bërë që gjendja financiare e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), të mos jetë stabile.

Rrjedhimisht kjo gjendje ka zvogëluar mundësitë për plotësimin e kërkesave të punëtoreve për rritjen e pagave nga janari i vitit 2018.

Drejtori menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Arben Gjukaj gjatë një intervistë për Telegrafin ka thënë se kostoja e shpronësimeve në Hade dhe Shipitullë të Komunës së Obiliqit ka arritur në 25 milionë euro.

Ai ka thënë se KEK-u në vazhdimësi ka synim rritjen e mirëqenies së punëtorëve, por situata në të cilën gjendet pamundëson rritjen e pagave.

“Situata në të cilën jemi duhet të fokusohemi karshi sfidave që i kemi për rritjen e prodhimit në njësitë gjeneruese. Nuk mund të themi në një situatë të tillë në të cilën gjendemi, sepse edhe kërkesa nuk është racionale në kohën dhe rrethanat të cilat po kalojmë”, ka thënë Gjukaj.

Por sindikalistët e KEK-ut kanë thënë se nëse nuk rriten pagat atëherë ata do të vazhdojnë me protesta. Sipas tyre, një premtim për rritje pagash nga janari i vitit të ardhshëm ua ka bërë edhe kryeministri, Ramush Haradinaj.

“Kryeministri ka premtuar se rritja e pagave për të gjithë punëmarrësit e KEK-ut në mënyrë lineare nga 100 euro do të ndodhë me pagën e janarit 2018. Nëse nuk ndodhë siç na ka premtuar, në të kundërtën si kryesi ekzekutive e SR-KEK-ut kemi marr vendim se do t’i vazhdojmë protestat deri në realizimin e premtimit të dhënë”, ka thënë për Telegrafin, Rafet Osmani, kryetar i Sindikatës së Re në KEK (SR-KEK).

Deklarimet e drejtorit menaxhues të KEK-ut, Arben Gjukaj, rreth kërkesës së punëtorëve të KEK-ut për rritjen e pagave mund t’i ndiqni nga minuta 14:00 e intervistës.