Punëtorët e Kosovës rrezikohen në punë, kërkohet me urgjencë mbyllja e disa vend-punishteve

Ndonëse Kosova ka legjislacion adekuat për ofrim të sigurisë në punë, ai nuk po gjen zbatim prandaj punëtorët vazhdojnë të ballafaqohen me mungesë të sigurisë dhe shëndetit në vendpunishte. E për këtë po kërkohet raportim dhe intervenim më i shpejtë nga akterët kyç.

Kështu u tha në tryezën ” Rëndësia e Sigurisë në Punë” e organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian dhe ministria e Integrimeve Evropiane e mbajtur në Pejë.

Udhëheqësi i sektorit të bashkëpunimit në zyrën e BE-së në Kosovë, Luigi Brusa tha se legjislacioni i Kosovës në mënyrë akademike i ka të përfshira të gjitha direktivat e legjislacionit të Bashkimit Evropian sa i takon sigurisë në punë, por që ato sipas tij nuk po gjejnë zbatim në praktikë.

Duke folur për rëndësinë e sigurisë në vendpunishte Brusa ka thënë se nëpër shumë vende të punës në sektorin e ndërtimtarisë duke nisur nga skelet nëpër të cilat duhet të hipin punëtorët për të punuar vërehet mungesa e interesimit të punëdhënësve dhe jo serioziteti i tyre për sigurinë e punëtorit.

Ai madje ka thënë se Inspektorati Punës nuk po bën mjaftueshëm në këtë drejtim teksa ka këshilluar që me urgjencë të mbyllen disa vendpunishte në Kosovë.

Ai ka kritikuar edhe sindikatat e punëtorëve që nuk po e ngritin sa duhet zërin për të drejtat dhe shkeljet që u bëhen punëtorëve në Kosovë.

Luigi Brusa tha se ndonëse BE ka investuar miliona euro në mjetet e inspektoratit të punës dhe po ashtu në trajnime nuk ka parë rezultate konkrete.

“Duke ardhur në Pejë pashë dy ndërtesa të cilat skelet i kishin të ndërtuara në mënyrë të keqe në mënyrë jo të duhur, siç thash skelet janë një shenjë se sa serioz është kontraktuesi i cili është duke ndërtuar dhe i cili i sjell punëtorët në vend pune. Këto janë disa shenja pra si Bashkim Evropian nuk mund të vijmë këtu dhe të lustrojnë fshatin nuk është ky roli jonë, roli jonë është këshillëdhënës, roli ynë të ndërtojmë kapacitete por pas kësaj varet nga organet dhe autoritet e Kosovës nga populli i Kosovës që t’i mbroni punëtorët tuaj….Sipas mendimit tim puna që është bërë nga Inspektorati i Punës është akoma e pamjaftueshme, disa vendpunishte duhet të mbyllen pa vonesë , kur disa vendpunishte të ndërtimit nuk janë të mbrojtura fare”, tha Brusa.

Udhëheqësja e Iniciativës Kosovare për Stabilitet, Brikenë Hoxha u shpreh se papunësia dhe varfëria në Kosovë i detyron punëtorët që të punojnë në kushtet të papërshtatshme, pa kontrata pune, me orar të zgjatur, në mjedis të pasigurt.

Hoxha po ashtu tha se nga hulumtimit që kanë bërë si organizatë ka rezultuar se shkaktarët kryesor të aksidenteve dhe vdekjeve në vendet e punës janë goditje të papritura nga makineria, rrëzimet etj.

Teksa ka folur për shifrat e vdekjeve dhe lëndimeve në vendin e punës ajo tha se ka një mospërputhje të shifrave që i posedojnë Inspektorati i Punës, dhe sindikatat. Madje ajo tha se ka edhe mungesë të raportimit të vdekjeve në vendin e punës.

Hoxha po ashtu ka thënë se edhe mungesa e trajnimit të punëtorëve rreth sigurisë dhe shëndetit në punë është mangësi e cila po sjell pasoja.

“Punonjësit në Kosovë sidomos ata të sektorit privat jo vetëm që nuk gëzojnë një ndër të drejtat themelore të garantuara me ligj si pajisja me kontratë të punës por në shumicën e kohës punojnë në kushte të papërshtatshme që nuk përkojnë as me kushtet minimale të punës. Tregu i punës në Kosovë përveç punës pa kontratë karakterizohet me shkelje të tjera si mos ofrimi i trajnimeve për sigurinë dhe shëndetin në punë.. Për vitin 2017 i kemi të evidentuara 21 punëtorë të vdekur në vitin 2018 i kemi 22 punëtorë ndërsa deri në maj të vitit 2019 i kemi të evidentuar 6 punëtorë, ndërsa të dhënat e sindikatës raportojnë për 10 të vdekur deri në maj të vitit 2019”, u shpreh ajo.

Agim Millaku, zëvendës kryeinspektor në Inspektoratin e Punës tha se sfidë kryesore e këtij institucioni mbikëqyrës është mungesa e numrit të inspektorëve dhe nevoja për të kryer trajnime adekuate për të kryer si duhet inspektimet në terren.

Millaku ka thënë se ngritja e edukimit tek punëtorët sa i takon sigurisë dhe shëndetit në punë është një sfidë po ashtu e madhe e cila sipas tij mund të zgjidhet me përmes një bashkëpunimi më të madh të të gjithë palëve.

Sipas tij Inspektorati i Punës po bën vazhdimisht përpjekje që të rrisë sigurinë në punë përmes inspektimeve të shumta që po bënë në terren.

“Prej sfidave më kyçe që na paraqitet neve si Inspektorat i Punës kam paraqitur ngritjen apo plotësimin e kapaciteteve njerëzore në Inspektoratin e Punës na duhet formimi i inspektorit të punës të jetë sa më profesionist në zbatimin e punës dhe dispozitave të ligjit. Pastaj na duhen trajnime të rregullta të këtyre inspektorëve varësisht prej kushteve dhe rrethanave… Kemi sfidë të veçantë edhe logjistikën sepse na mungon një logjistikë e duhur për mbikëqyrje gjegjësisht zbatimin e dispozitave ligjore në mbi 90 mijë subjekte”, u shpreh ai.

Për të drejtat e punëtorëve në sektorin privat foli kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Isuf Azemi i cili tha se fajtori kryesor që punëtorët e sektorit privat i ka sjell në gjendje siç e quajtur restauruese janë qeveritarët dhe vet Inspektorati i Punës, të cilët i akuzoi se janë duke punuar për t’u bërë vet të pasur kurse e kanë lënë totalisht anash sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve.

Azemi ka deklaruar se në sektorin privat mbi 50 përqind e punëtorëve janë të punësuar pa kontrata të punës, ndërsa mbi 95 përqind e punëdhënësve nuk e zbatojnë Ligjin e Punës dhe Kontratën Kolektive.

Kryesindikalisti teksa ka treguar shifrat e punëtorëve që janë aksidentuar në punë apo edhe kanë humbur jetën tha se trendi i vdekjeve në vendin e punës ndër vite po shënon rritje.

Si shqetësim ai e ka paraqitur edhe pagën minimale për të cilën tha se nuk do ketë rritje ende edhe pse rezoluta është votuar në Kuvend të Kosovës.

“Ky shtet ka dështuar në mbrojtjen dhe sigurinë e shëndetit në mbrojtjen e punëtorëve të sektorit privat… Mbi 150 të punësuar në sektorin privat nuk paguajnë Trust. Në fakt punëtori punon i kryen të gjitha obligimet ndaj pronarit të kompanisë por mbi 150 mijë punëtor nuk lajmërohen dhe nuk u paguhet Trusti dhe me paratë e tyre… Mbi 50 milionë ia kemi llogaritur kryeministrit dhe ia kemi vendosur mbi tavolinë që punëtorët e ngratë ia paguajnë kompanive dhe me ato para po mbarojnë pallate po vozisin xhipa të zi po krijojnë pasuri kurse punëtorët… Kjo është duke ndodh me bekim të qeveritarëve”, ka thënë Azemi.

Gjatë debatit të zhvilluar njëri nga të pranishmit, Hamdi Lokaj i cili deri më 1 qershor të këtij viti ishte menaxher i restorantit në “Viva Fresh Store” tha se për shkak se ishte ankuar për shkeljet në vendin ku ai punonte humbi vendin e punës.

“Unë menjëherë e kam kontaktuar ministrin e Punës, Skënder Reçica ia kam shkruar një e-mail dhe i kam thënë se krejt çka të kanë thënë ata njerëz është një gënjeshtër. ‘Zotëri kushtet e punës janë këto këto, këto, posaçërisht në Viva Fresh por edhe në kompanitë tjera private’. A e dini çfarë më ka ndodhur pas një jave kam marrë urdhër nga pronari i kompanisë që pushohem nga puna edhe sot unë jam i papunë”, tha Lokaj.

Lidhur me këtë deklaratë të këtij punëtori , Agim Millaku nga Inspektorati i Punës i cili ishte prezent në këtë debat tha se pse asnjëherë Lokaj nuk kishte paraqitur ankesë në Inspektoratin e Punës, për çka tha se këso lloj parregullsish nuk ka vetëm në Viva Fresh por edhe në ndërmarrjet tjera si ETC, Interex,e tj.

Ky debat për rëndësinë e sigurisë në punë u zhvillua në kuadër të projektit “Përkrahje për komunikim në procesin për integrim evropian” që financohet nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimeve Evropiane”.