Punëtorët e “Ferronikelit” mbeten pa paga

Kanë kaluar gjashtë muaj që kur “Ferronikeli” ka ndërprerë prodhimin, për shkak të, siç ishte thënë, “problemeve teknike me pajisje të caktuara në fabrikë, të cilat kanosin sigurinë në fabrikë, krijojnë rrezikun që të shkaktohet dëm i pariparueshëm i pajisjeve, dhe në këtë mënyrë detyron vendosjen e menjëhershme të fabrikës në gjendje për riparim, si dhe rënies së vazhdueshme të çmimit të nikelit në tregun e metaleve, e cila po shkakton humbje të konsiderueshme për grupin”, ndërsa akoma nuk dihet se kur do të rifillojë prodhimi.

Në komunën e Drenasit dhe në mesin e punëtorëve ekziston bindja se tashmë “Ferronikeli” ka falimentuar dhe se nuk do të ketë më prodhim të xehes së Niklit, megjithëse Qeveria e Kosovës, AKP-ja dhe institucionet tjera kanë plotësuar të gjitha kërkesat e menaxhmentit të “Ferronikelit”, shkruan Zëri.

Kërkesat kryesore që “Ferronikeli” i ka shtruar Qeverisë së Kosovës, leja për dislokimin e rrugës dhe të hekurudhës që kalojnë përmes minierës së “Gllavicës” në Magurë të Lipjanit, pasi që është vlerësuar se në këtë pjesë nga kalojnë rruga dhe hekurudha ka rezerva të mëdha të xehes së Niklit, si dhe të ulet çmimi i energjisë elektrike, tashmë janë plotësuar, por nuk ka asnjë shenjë se prodhimi do të rifillojë.

Se kur do të rifillojë prodhimi nuk dinë ta thonë as në AKP, ndërsa Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të “Ferronikelit” gjithashtu nuk ka mundur të thotë nëse me menaxhmentin e “Ferronikelit” janë dakorduar për rifillimin e punës. Mbi 1 mijë punëtorë janë dërguar në pushim me 70 për qind të pagës, por për muajin gusht atyre nuk u janë paguar pagat.