Pse ShBA-të dhe disa shtete tjera nuk po e mbështesin taksën ndaj Serbisë dhe Bosnjës

E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Colleen Hyland, nuk po e përkrah vendosjen e taksës nga ana e Qeverisë së Kosovës ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Hyland në një postimi në Twitter ka thënë se nga vendosja e taksës nuk përfiton Kosova, por vetëm krijon pasiguri për bizneset dhe krijon paqëndrueshmëri ekonomike.

“Nga ngritja e detyrimeve ndaj anëtarëve të tjerë të CEFTA-s nuk përfiton #Kosova. Ajo krijon vetëm pasiguri për bizneset dhe krijon paqëndrueshmëri ekonomike. Është më mirë të bëhen më shumë përpjekje për të siguruar një të ardhme të begatë nëpërmjet Dialogut”, ka shkruar ajo.

Jo vetëm ShBA-të, por edhe BE e disa vende të tjera nuk po e mbështesin taksën e 10% ndaj Serbisë dhe Bosnjës.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Lulzim Beqiri për Indeksonline ka thënë se mbështetja e SHBA-së dhe disa vendeve të tjera ndaj Serbisë është me shumë çështje politike sesa ekonomike.

“Zërave që po kundërshtojnë tarifën prej 10% ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjës iu shtua edhe aleati ynë strategjik SHBA, por pavarësisht kësaj ende vazhdoj të kem qëndrim se marrëveshja e CEFTA-së është shkelë nga ana e Kosovës. Rreshtimi i aleatëve në krah të Serbisë është jo i pranueshëm për shkak se shteti serb po jep edhe atomin e fundit për të zhbërë Republikën e Kosovës, dhe fuqia e vetme e Kosovës është fuqia ekonomike pasi qe Serbia importon rreth 500 milionë euro mallra çdo vit në Kosovë dhe mbështetja e SHBA-së dhe disa vendeve të Bashkimit Evropian ndaj Serbisë mendoj se është me shumë çështje politike se sa ekonomike, disi për të ruajtur një lloj paqeje të brishtë. Dihet se politikat ekonomike të SHBA-ve janë tejet strikte, mund të marrim shembull taksën prej 20% në alumin dhe çelik ndaj Turqisë për interesa politike dhe askush nuk morri guximin të kritikojë Amerikën për këtë veprim”, ka thënë Beqiri.

Sipas tij, është e padrejtë t’i kërkohet Kosovës që të ndjek rrugën e reciprocitetit me Serbinë, kur Serbia ka vënë barriera ndaj bizneseve kosovare.

“Mendoj se është e padrejtë me kërkuar nga Kosova që të tërheq tarifën përderisa të dy shtetet qe iu është vënë tarifa nuk e njohin shtetësinë e Kosovës. Kosova duhet të ndjek rrugën e reciprocitetit total me Serbinë, është koha për një riorientim ekonomik dhe ri definim të marrëveshjeve ekonomike me partner strategjik. Nuk ka të drejtë as SHBA e as BE-ja të kritikojë tarifën sepse pikërisht Serbia është ajo e cila bënë barrierë ndaj bizneseve kosovare madje edhe ndaj lëvizjes së lirë të njerëzve çka shkel edhe konventat ndërkombëtare edhe marrëveshjet e arritura në Bruksel, pse si Kosovë gjithmonë duhet lëshuar pe”, ka shtuar mes të tjerash Beqiri.

Beqiri ka theksuar se taksa që është vendosur duhet zëvendësohet me reciprocitet total ose edhe embargo ndaj prodhimeve serbe.

Ndërsa, kryetari i shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi për Indeksonline thotë arsyeja e mos mbështetjes së SHBA-së ndaj këtij vendimi është sepse po shkelet marrëveshja e CEFT-es.

“Por nëse e kanë më të vërtetë SHBA-të e jo vetëm sa për deklarim politik, mos mbështetja e këtij vendimi nga Qeveria se Kosovës, mendoj që arsyeja është e thjeshtë sepse po shkelet marrëveshja e Cefta-s një marrëveshje e arritur ndërkombëtare të cilën marrëveshje e ka shkelë shumë e shumë herë Serbia, por duke qenë e përkdhelur jo vetëm nga Rusia por edhe nga shumë shtete të fuqishme Evropiane nuk kanë reaguar ndaj tyre sikurse po bëhet ndaj Kosovës. Po ashtu, pasi që janë duke u zhvilluar bisedimet dhe në këtë mënyrë i jepet mundësi Serbisë e aleatve të saj që të reagojnë e zvarrisin marrëveshjet e arritura me Kosovën. Efekti i tretë është fakti se Serbia e Bosnja po kanë humbje të mëdha ekonomike nga ky veprim gjë që shumë shtete aleate të Serbisë nuk e shohin me sy të mirë, andaj direkt por edhe me kërkesa ndaj SHBA qe të ndikojë të hiqet kjo masë”, ka thënë Rexhepi në një përgjigje të tij.

“Është normale që ShBA e ndoshta edhe të gjitha shtetet me ndikim ta bëjnë të njëjtin veprim, ngase mos të harrojmë se SHBA dëshiron t’i ketë raportet e mira jo vetëm me Kosovën por edhe me Serbinë. Andaj, Qeveria e Kosovës duhet të gjejë forma apo mënyra që tua shpjegojë SHBA-së dhe aleatëve të tjerë që ky veprim ka qenë i domosdoshëm dhe nuk është drejtuar kundër prodhimeve serbe, por ndaj institucioneve të Serbisë”, ka theksuar tutje ai në përgjigjën e tij.

Rexhepi ka shtuar se vendimi i Qeverisë Haradinaj është një presion që do të ketë efekte në sjelljen e Serbisë jo vetëm në tavolinën e bisedimeve, por edhe do ta disiplinojë që të sillet si shtet.

Ndryshe, ka një javë që është vënë kjo masë ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës.

Ndaj këtij vendimi reagoi edhe Bashkimi Evropian, duke mos mirëpritur nismën e ekzekutivit të Kosovës.

Zëdhënësja e BE-së, Maja Koçijançiq tha se ky vendim minon bashkëpunimin rajonal dhe nuk është në përputhje me parimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit BE-së dhe Kosovës.

“Këto vendime janë një shkelje e qartë e obligimeve të Kosovës në kuadër të CEFTA-s. BE pret nga Kosova, e cila aktualisht kryeson CEFTA për të përmbushur plotësisht obligimet e saj dhe të revokojë këtë masë”, tha Koçijançiq.

Pavarësisht kritikave nga BE-ja, në Qeverinë e Kosovës thonë se ky vendim nuk ka kthim prapa.