Pse Barcelona e transferoi Rey Manajn?

Barcelona befasoi tifozët e saj me transferimin e Rey Manajt edhe pse ai do të jetë i angazhuar me ekipin B.

Barcelona ka zyrtarizuar transferimin e Rey Manajt.

Klubi katalan ka arritur marrëveshje me Albaceten me vlerë prej 700 mijë eurosh dhe 2 milionë euro të tjera në bonuse të lidhura me paraqitjet e futbollistit shqiptar.

Manaj do ta veshë fanellën e Barcelonës B, që garon në Segunda B.

Por, pse Barcelona e ka transferuar Manajn? Vështirë se do ta shohim ish anëtarin e Interit në ekipin e parë të Barcelonës por në Kataloni janë të sigurt se ai mund të jetë një element i rëndësishëm për t’i ndihmuar Barcelonës B ta sigurojë promovimin, shkruan “Goal Italia”, transmeton lajmi.net.

Skuadra e drejtuar nga Garcia Pimenta është aktualisht 6 pikë prapa liderit Sabadell dhe rrezikon të humb një prej sulmuesve më të mirë, Alejandro Marques, i cili pritet të transferohet në Juventus në shkëmbim për Matheus Pereira.

Andaj, Manaj do ta plotësojë mungesën e tij në sulm marrë parasysh se qendërsulmuesi titullar, Abel Ruiz mund të inkuadrohet në ekipin e parë pas lëndimit të rëndë të Luis Suarez, transmeton lajmi.net.

Manaj do të jetë i lidhur me Barcelonën deri më 2023 dhe në kontratën e tij me klubin katalan është e përfshirë një klauzolë prej 50 milionë euro.

Barcelona beson te potenciali i futbollistit të rritur në sektoret e të rinjve në Piacenza dhe Cremonese.