Protestojnë punëtorët e Pallatit të Rinisë, kërkojnë pagat e gushtit

Punëtorët e Pallatit të Rinisë në Prishtinë janë duke protestuar në shenjë pakënaqësie për mos marrjen e pagave për muajin gusht. Në kohën kur punëtorët është dashtë të paguhen edhe për muajin shtator, ata ende nuk i kanë marr pagat e gushtit.

Sipas tyre, krejt kjo vonesë është bërë për shkak të kalimit të kompetencave të Pallatit të Rinisë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit tek Komuna e Prishtinës.

Kjo situatë do të vazhdojë derisa Komuna e Prishtinës të zgjedh bordin apo aksionarët e rinj që do të menaxhojnë me Qendrën Shoqërore Sportive, Kulturore dhe Ekonomike.

Protestuesit kanë deklaruar për Indeksonline se në AKP ju kanë thënë se mjetet ekzistojnë porse më ata nuk mund të bëjnë ekzekutimin e pagave pasi që tashmë me këtë qendër menaxhon Komuna e Prishtinës.

Komuna e Prishtinës sot pritet të mbajë mbledhjen e Kuvendit ndërsa punëtorët shpresojnë se njëra nder pikat e rendit të ditës do të jetë edhe fati i Pallatit të Rinisë.

Ndryshe, AKP-ja në përputhje me nenin 5 të Ligjit nr.04/L-034 për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, mundet që asetet të cilat sipas këtij ligji i administron t’i bartë në përgjegjësi dhe administrim të një organi tjetër publik, përmes një rregullore ose ligji që është në fuqi dhe që është shpallur nga një autoritet kompetent publik në Republikën e Kosovës pas qershorit 1999.