Protestë ndaj Zuckerberg; Thirrje për të mos përdorur FB, WhatsApp dhe Instagram

Për të protestuar kundër Facebook, për skandalin e shfrytëzimit të të dhënave nga Cabridge Analitica, një grup aktivistesh i kërkoi përdoruesve që në datën 11 prill të mos e përdorin rrjetin social dhe shërbime si WhatsApp, Instagram dhe Messenger për 24 orë.

Themeluesi i Facebook pritet të dëshmojë të martën përpara kongresit amerikan dhe sipas një kopje të fjalimit te tij të publikuar nga Komisioni për Energjinë dhe Tregtinë në Dhomën e Përfaqësueseve, ai do të fajësojë veten për skandalin.

“Është shume e qartë se nuk bëmë mjaftueshëm për të parandaluar që mjete të caktuara të përdoreshin për të dëmtuar dikë”, thotë Zuckerberg në fjalimin e përgatitur.

“Ne nuk i vlerësuam si duhet përgjegjësitë tona dhe ky ishte një gabim i madh. Ishte faji im dhe me vjen keq. Unë e themelova Facebook, jam drejtues i tij dhe kam përgjegjësinë për atë që ndodh”, vijon me tej fjalimi i Zuckerberg.

Ndërkaq sipas një sondazhi të zhvilluar së fundmi në SHBA amerikanët po e humbasin besimin tek rrjeti social, lidhur me mënyrën se si kompania e trajton informacionin personal dhe për faktin që lejon përhapjen e lajmeve të rreme.

61% e të anketuarve besojnë se “Facebook-u” ka dëmtuar politikën amerikane dhe e ka bërë atë më negative, duke mundësuar manipulime dhe gënjeshtra që polarizojnë njerëzit.

Top Channel