Propagandë dhe viktimizim i Serbisë – nuk ka krizë humanitare në veri

Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj deklaroi se Beogradi po planifikon tërheqjen e mallrave në mënyrë që të shkaktojë katastrofë humanitare.

Ndërkohë, Serbia ka nisur të inskenojë situata, të cilat po e paraqesin një katastrofë humanitare në pjesën veriore të Kosovës. Mediat serbe po raportojnë se banorët e katër komunave në veri të vendit, gjenden një hap prej katastrofës humanitare, pasi sipas tyre nëpër markete po mungojnë artikujt themelorë, shkruan lajmi.net.

Kryetari i Shoqatës së afaristëve në veri të Kosovës, Radosh Petroviq i ka thënë gazetës serbe “Politika” se rezervat e miellit janë shpenzuar, dhe se deri të enjten nëpër rafte nuk do të ketë as bukë.

Një gjë të tillë po e mohon, kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri. Ai në një prononcim për lajmi.net, ka thënë se këto janë shpifje dhe propaganda nga ana e Serbisë.

“Këto janë shpifje dhe propagandë e mediave të Serbisë. Krizë humanitare në veri nuk ka. Në Kosovë krizë ka pas në vitet ‘98-99 dhe asnjëherë tjetër”, ka deklaruar Bahtiri.

Bahtiri ka apeluar te qytetarët të mos bien pre e provokimeve të Serbisë, pasi sipas tij në këtë situatë mund të ketë gjakderdhje.

Ndërsa, kryetari i KMDLNJ-së, Behxhet Shala ka thënë se kriza e ashtuquajtur humanitare është paralajmëruar më herët nga Beogradi.

“Kjo kriza e ashtuquajtur humanitare është paralajmëruar nga Beogradi. Serbët janë më të kufizuar se shqiptarët në veri sepse kanë lidhje direkt nga Serbia. Por tani, edhe Serbia por edhe qarqet ekstremiste të veriut po e përdorin taksën si pretekst që kinse ka çuar deri tek kriza humanitare – kinse ka mungesë barnash, mungesë ushqimore dhe të tjera. Mirëpo, veriu ka qasje në të gjitha këto gjëra, ata sigurojnë këto më mirë se na, sepse përveç këtyre ata marrin edhe paga të dyfishta dhe taksa po përdoret si pretekst për këtë”, ka thënë Shala për lajmi.net.

Shala ka theksuar se edhe qeveria e Kosovës është shprehur e gatshme që t’i ndihmojë qytetarët e kësaj pjese, mirëpo ata kanë refuzuar.

“Ata po refuzojnë sepse edhe qeveria e Kosovës është shprehur e gatshme që t’i ndihmojë ekstra me të gjitha shërbimet, por kjo vetëm por përdoret si propagandë, sepse nuk ka mungesë”, ka përfunduar Shala.

Më parë, televizioni publik raportoi se autoritetet serbe këtë të enjte po planifikojnë të sjellin ekipe televizive në Mitrovicën veriore, Zveçan dhe Zubin Potok në mënyrë që të bëjnë xhirime me njerëz gjoja se të dëshpëruar.

Kjo propagandë e Serbisë, është tentim të përdoret si argument në procesin e bisedimeve me Kosovën.