Pronarët e kiosqeve sërish në protestë, duan anulimin e konkursit

Pronarët e kioskave po protestojnë para Komunës së Prishtinës, duke kërkuar që në seancën e jashtëzakonshme të kuvendit, të anulohet konkursi për kiosqet.

Me motot: “Krejt s’mund të bëhemi milionerë”, “Diskriminimi i bizneseve të vogla nga Komuna e Prishtinës”, pronarët e kioskave po protestojnë para Komunës së Prishtinës.

Përfaqësuesi i bizneseve të vogla, Sabedin Hasani, tha se Ligji për kioskat është diskriminues dhe me një fjalë këtu fillon lufta midis klasës së varfër dhe të pasur.

“Ne sot kemi dalë me protestue për të drejtën tonë. Komuna e Prishtinës ka shpall konkurs, i cili është diskriminues, dhe me një fjalë këtu nisë lufta në mes të varfëve dhe milionerëve”, tha ai.

Agim Gashi, përfaqësues i LDK-së, tha se ky vendim pritet të anulohet pasi grupet e këshilltarëve kanë rënë dakord për anulimin e këtij vendimi.

“Grupet e këshilltarëve kanë shprehur interesimin për anulimin e atij vendimi si kusht që këta të disiplinohen në mbrojte të interesave të qytetarëve. Ne do të bëjmë përpjekje në anulimin e këtij vendimi, sepse kemi rolin e këshilltarit dhe kemi obligim t’i mbrojmë këto interesa”, tha Gashi.

Seanca e jashtëzakonshme tashmë ka filluar me shqyrtim vetëm një pikë të ditës, rishqyrtimi i vendimit për vendosjen e kioskave, në komunë.