Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj gjashtë personave për rastin e Oliver Ivanoviq

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër gjashtë personave N.S., M.R., S.A., D.M., Z.J., R.B. për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, “Keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje” dhe “Manipulim me prova, në bashkëkryerje”.

Prokuroria Speciale njofton se të pandehurit N.S., M.R. dhe R.B., të cilët gjenden në paraburgim, si dhe M.R., Z.V dhe Zh.B., të cilët gjenden në arrati, ndaj të cilëve gjykata kompetente ka lëshuar urdhërarrest dhe letërrreshtim ndërkombëtar në bazë të kërkesës së Prokurorisë Speciale, duke vepruar si grup kriminal i organizuar me strukturë dhe hierarki në grup, me role të përcaktuara formalisht, i cili grup kriminal nuk është formuar rastësisht, por është duke vepruar që nga viti 2011 e këndej, të cilin grup e udhëheqin të pandehurit Z.V. dhe M.R, të cilët gjenden në arrati, ku të gjithë këta të pandehur veprojnë në vazhdimësi dhe në bashkëpunim, me dashje dhe dijeni të qëllimit dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar ose qëllimit të grupit për të kryer një apo më shumë vepra penale.

Të pandehurit aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit duke ditur se pjesëmarrja e tillë do të kontribuojë në realizimin e veprimtarive kriminale të grupit dhe realizimin e përfitimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të dobisë financiare apo dobisë tjetër pasurore, me qëllim të shtrirjes së kontrollit të bizneseve në territorin dhe kontrollin e politikës në pjesën veriore të Mitrovicës.

Ky grup kriminal ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë”, “ Ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë”, “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm në territorin e Republikës së Kosovës”.

Po ashtu, secili nga të pandehurit kanë kryer veprime inkriminuese-konkrete për grupin në fjalë, me ç’rast veprimtaritë e këtij grupit kriminal të organizuar kanë rezultuar me vrasjen tani të të ndjerit Oliver Ivanoviq, ku paraprakisht nga i njëjti grup i është djegur edhe vetura e tij. Me këto veprime të pandehurit kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

I pandehuri N.S. ditën kur është vrarë, Oliver Ivanoviq, me veprimet e tij iu ka lehtësuar dhe siguruar rrugëtimin të dyshuarve ( ekzekutuesve), ne kryerjen e aktit të vrasjes, po ashtu në ditën kritike i pandehuri N.S., së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes, Zh.J dhe D.M., nuk i kanë kryer detyrat dhe autorizimet policore në vendin e ngjarjes, por kanë lëvizur me veturë zyrtare dhe në këmbë edhe pse hasin në persona të pa autorizuar duke fotografuar dhe dëmtuar provat e mundshme në vendin e ngjarjes ku kishte ndodh vrasja e të ndjerit Oliver Ivanoviq. Me këto veprime i pandehuri N.S., ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 2, nënparagrafi 2.2. të KPRK-së.

I pandehuri N.S., ka bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e Oliver Ivanoviq, me ç’rast me dashje dhe dijeni i ka ndihmuar të dyshuarve të panjohur në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, duke krijuar kushtet dhe mënjanuar pengesat për kryerjen e veprës penale, ku i njëjti u ka lehtësuar të dyshuarve që të marrin veturën e markës Opell Astra, pa targa me dritare të errësuara, ta përcjellin të njëjtën veturë në drejtim të qytetit, nga e cila veturë është shtënë gjashtë herë në të ndjerin Oliver Ivanoviq.

Po ashtu, i pandehuri N.S., së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zh.J. dhe D.M, nuk i kanë kryer detyrat dhe autorizimet policore në vendin e ngjarjes, por kanë lëvizur me veturë zyrtare dhe në këmbë edhe pse hasin në persona të pa autorizuar duke fotografuar dhe dëmtuar provat e mundshme në vendin e ngjarjes ku kishte ndodh vrasja e të ndjerit Oliver Ivanoviq. Me këto veprime i pandehuri N.S. ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë” nga neni 179 i KPK-së lidhur me nenin 33 paragrafi 2 KPRK-së.

Gjithashtu, i pandehuri N.S. me dashje dhe dijeni ka mbajtur në posedim armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët e tilla, ku më 23.11.2018 rreth orës 06:30, gjatë zbatimit të urdhër kontrollit nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës, në shtëpinë e të pandehurit N.S. i janë gjetur dhe sekuestruar, një pushkë e tipit kallashnikov AK-47 me kalibër 7.62×39 mm, një karikator AK-47 si dhe 106 fishek të kalibrit 7.62 x 39 mm, një granat dore, shufër gome, një tyt tromblloni për kallashnikov, një jelek ushtarak, të cilat i pandehuri i ka poseduar pa lejen e organit kompetent. Me këto veprime i pandehuri N.S. ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

I pandehuri M.R. ka bashkëpunuar ngushtë me të pandehurit N.S., R.B., M.R., Z.V. dhe Zh.B. me dashje dhe dijeni ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”, duke e përcjellë viktimën Oliver Ivanoviq, para vrasjes, ndërsa pas vrasjes së të ndjerit në xhepin e tij është gjetur një copë letër me targa të veturës KM-014-FZ i markës xhip Santa FE me ngjyre të zezë, e cila veturë e ka përcjellë pas vrasjes së viktimës edhe vëllain e viktimës M.I. Me këto veprime i pandehuri i lartcekur ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë” nga neni 179 të KPK-së lidhur me nenin 33 paragrafi 2 i KPRK-së.

I pandehuri R.B. në cilësinë e zyrtarit policor, konkretisht hetues në Njësinë e Hetimeve Regjionale në Mitrovicë –Veri, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër dhe i njëjti përmes Zh.B., ka bashkëpunuar ngushtë me grupin kriminal të organizuar të M.R., nga i cili ka marr urdhra nga ky grup për të fshehur dhe eliminuar dëshmitë-provat, dhe është angazhuar nga grupi kriminal që t’i fsheh gjurmët e krimit dhe mos të zbardhen rastet, kur kanë të bëjnë me personat e dyshuar që janë pjesë e grupit kriminal të M.R., dhe në përgjithësi të gjitha këto raste të mbesin të pa zbuluara, me ç’rast me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj. Me këto veprime i pandehuri R.B. ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 2, nënparagrafi 2.2. të KPRK-së.

Prokuroria Speciale njofton se e pandehura S.A., duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit që kanë qenë në koordinim për vrasjen e Oliver Ivanoviq, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, duke bërë krijimin e kushteve dhe mënjanimin e pengesave për kryerjen e veprës penale, në atë mënyrë që në kohën e aktit të kryerjes së vrasjes së të ndjerit Oliver Ivanoviq, e pandehura ka qenë në dijeni se kamerat e sigurisë në zyrat e “SDP”-së kanë qenë të ndalura në mënyrë të dhunshme, duke u ç’kyqur nga rryma, me ç’rast ju është mundësuar lehtësim të dyshuarve që të mos incizohen nga kamerat e sigurisë, kur të kryhet akti i vrasjes ndaj të ndjerit Oliver Ivanoviq. E njëjta më 16.01.2018, në ora 08:16 menjëherë pas vrasjes së Oliverit ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë “SDP”, e cila ka qenë duke punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja. Me këto veprime e pandehura ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë” nga neni 179 i KPK-së lidhur me nenin 33 paragrafi 2 të KPRK-së.

I pandehuri D.M. në cilësi të zyrtarit policor më 16.01.2018, pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, pa autorizim ka dhënë informacione që përbëjnë fshehtësi zyrtare nga vendi i ngjarjes me qëllim të publikimit apo shfrytëzimit të informacionit jashtë Republikës së Kosovës, duke i raportuar një zyrtari policor në shtetin e Serbisë. Me këto veprime ka kryer veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” nga neni 433 paragrafi 2 i KPRK-së.

Gjithashtu, i pandehuri D.M dhe Zh. J., në cilësi të personave zyrtar më 16.01.2018, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar nuk i kanë përmbush detyrat e tyre zyrtare me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, ashtu që pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, të cilin nuk e kanë siguruar duke lënë personat e tjerë që të ndërhyjnë në vendngjarje, duke i dëmtuar provat materiale, dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes me ç’rast nuk i kanë kryer me dashje detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj.

Po ashtu, të pandehurit D.M dhe Zh. J. në cilësi të zyrtrave policor më 16.01.2018, pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, të njëjtit me qëllim që t’i heqin, fshehin dhe bëjnë të pashfrytëzueshme provat, me qëllim të pamundësimit të shfrytëzimit të tyre në procedura zyrtare, kanë manipuluar me prova, ashtu që fillimisht i pandehuri D.M. bën me dorë në drejtim të gëzhojës e cila ishte në vendin e ngjarjes e të cilën më pas i pandehuri Zh.J., e merr atë gëzhojë e fut në xhep dhe së bashku me të pandehurin tjetër D.M., largohen nga vendi i ngjarjes duke mos e siguruar vendin e ngjarjes.

Me këto veprime të pandehurit kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare në bashkëkryerje” sipas nenit 422, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.2. lidhur me nenin 31 të KPRK-së, si dhe “Manipulim me prova, në bashkëkryerje” nga neni 397 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

I pandehuri Zh.J., me dashje dhe dijeni ka mbajtur në posedim armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët e tilla, ku më 10.02.2018, gjatë kontrollit të shtëpive dhe objekteve përcjellëse dhe gjatë kontrollit të banesës të pandehurit Zh.J., është gjetur dhe konfiskuar një armë e markës TT e kalibrit 7.62 mm me numër serik C-91769 dhe 9 fishek të kalibrit 7.62 mm, të cilat i pandehuri i ka poseduar pa leje të organit kompetent. Me këto veprime i pandehuri i lartcekur ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve” nga neni 374 par 1 të KPRK-së.

Po ashtu, ju njoftojmë se deri tek ngritja e kësaj aktakuze, janë ndërmarrë veprime të shumta procedurale-hetimore. Janë dëgjuar rreth njëqind (100) dëshmitarë, tridhjetë (30) prej të cilëve janë intervistuar nga prokurori i rastit, të tjerët nga hetuesit e rastit.

Të pandehurit janë intervistuar më shumë se njëherë, ndërsa janë zgjeruar hetimet edhe ndaj dy të pandehurve M.M dhe Zh.B, të cilët gjenden në arrati dhe ndaj të njëjtëve është lëshuar udhërarresti.

Nga shkresat e lëndës shihet se krerët e krimit të organizuar të cilët veprojnë në pjesën veriore të Kosovës, kanë ndikim në Policinë e Kosovës, në komunat dhe në ndërmarrjet Publike të asaj pjese.