Prokuroria nis grumbullimin e informatave për mënyrën e shitjes së biletave për ndeshjet e Përfaqësueses së Kosovës

Ndeshjet e futbollit të Përfaqësueses së Kosovës për kualifikim në Euro 2020, kanë zgjuar interesim të madh tek futbolldashësit.

Mirëpo, jo të gjithë po mund të pajisen me bileta për të parë nga afër ndeshjet e përfaqësues tonë.

Së fundi shumë qytetarë dhe figura publike kanë pasur ankesa për mënyrën sesi po bëhet shitja e biletave të ndeshjes së Përfaqësueses së Kosovës në tregun e zi.

Madje shumë prej tyre kanë kërkuar që Prokuroria të nis hetime lidhur me mënyrën e shitjes së këtyre biletave.

Kandidati për deputet nga radhët e Vetëvendosjes, Hekuran Murati ka shkruar se Prokuroria e ka shumë të lehtë të gjejë se çfarë po ndodh me biletat e ndeshjeve të Kosovës.

” Prokuroria e ka shumë të lehtë me i ra në fije se çka po ndodhë me biletat e ndeshjeve të Kosovës.
Krejt çka duhet me kërkuar nga kompania që e ka marrë përsipër shitjen është:
1. Listën me ‘timestamp’ për të gjithë personat që kanë ble, dhe
2. Pasqyrën e llogarisë ‘merchant account’, të kompanisë”, ka shkruar Murati.

Në anën tjetër Prokuroria ka konfrimuar për Telegrafin se është duke bërë grumbulluar informatat lidhur me dyshimet për shitjen e biletave.

“Ju njoftojmë se Prokuroria e Shtetit, bazuar në lajmet e publikuara në media ka filluar grumbullimin e informatave, në mënyrë që të verifikohen dyshimet e ngritura për shitjen e biletave për ndeshjet e zhvilluara nga kombëtarja e Kosovës”, ka thënë për Telegrafin, zëdhënësi i Prokurorisë, Ekrem Lutfiu.

Ndryshe, Përfaqësuesja e Kosovës mbrëmë në stadiumin “Fadil Vokrri” ka shënuar fitore ndaj Malit të Zi me rezultat 2:0.