Prokuroria e Durrësit nis hetimet për banesat e dëmtuara nga tërmeti

Prokuroria e Durrësit ka nisur zyrtarisht hetimet për të gjitha rastet e dëmtimeve të banesave dhe pallateve nga tërmeti i 26 nëntorit.

Euronews Albania mëson se prokuroria e qytetit bregdetar do të hetojë mbi 200 raste të dyshuara për abuzim, mes tyre edhe banesat e viktimave që la pas tërmeti.

Objekt hetimi janë 6 godinat në të cilat pati dhe viktima në Durrës, por edhe 200 banesat të cila janë shpallur të pabanueshme në të gjithë qarkun.

Prokuroria pritet të hetojë rast pas rasti lejet e ndërtimit, zbatimin në terren të punimeve dhe kolaudimet e kryera nga inxhinieret e bashkisë dhe ata privatë të licensuar.

Hetimi pritet të zbardhë edhe nëse objektet e dëmtuara kanë pasur apo jo miratimin e Institutit të Sizmologjisë.

Qindra pallate dhe shtëpi janë dëmtuar rëndë në qytetin e Durrësit, teksa në shumë prej tyre dyshohet se është abuzuar në procesin e ndërtimit.

Tërmeti i të martës la pas 51 viktima dhe qindra të plagosur. Lëkundjet e forta dhe të vazhdueshme dëmtuan një numër të lartë pallatesh dhe ndërtesash private në Durrës, Thumanë, Tiranë, Laç, Lezhë, Vorë dhe detyruan qindra familje të braktisin shtëpitë.