Privatësia dhe liria personale në kohën tonë

…Ndonëse kjo gjuhë e rëndë dhe e pahijshme, më të shumtën shfaqet si pasojë, pra si përgjigje ndaj sulmeve islamofobike, ajo kurrsesi nuk mund të arsyetohet, sepse besimtari nuk mund të shtyhet me islamofobin as në etiketime, as në shpifje e as në fyerje. Nëse do të tentonte të shtyhej në këtë garë të palavdishme, në atë rast, do të ishte e vështirë të shihej dallimi ndërmjet një besimtari dhe një provokatori…

Milazim KRASNIQI

Mendimi se në kohën tonë secili person është i mbikëqyrur, tek jo pak njerëz mund të prodhojë një dozë dëshpërimi, ose rebelimi. Njeriu nëse gjendet në një sallon hoteli të veshur gjithandej me pasqyra mund ta ketë bezdi ta shohë vetveten në përmasa e forma të ndryshme, e lëre më nëse është i bindur se është nën survejimin e të panjohurve dyshues e keqdashës.

Edhe pa këso presionesh nga akterë të jashtëm, sigurinë e vet njeriu e mban me shumë mund, ngase edhe nga brenda vetes është vazhdimisht nën presionin e egos, ndërgjegjes dhe provokuesve destruktivë të padukshëm e të panjohur për të, sikundër janë djajtë e mallkuar. Ndërsa, kur e ndjen ose e di se është edhe nën presionin e syve dhe veshëve dyshues e kqdashës, njeriu zakonisht dëshpërohet, ose rebelohet.

Në aso rrethanash, mund ta humbasë sigurinë dhe qetësinë. Mendimet e veprimet e tij mund të ndikohen në njëfarë mase edhe nga dyshimet që i vërtiten në mendje. Rrjedhimisht, viktima e tillë mund të tentojë të “zbutet”, pra, të përshtatet dëshpërueshëm me axhendën e përgjuesve/surjevuesve, që të mos duket fajtor para tyre, ose të rebelohet e të kërkojë ndonjë formë shpagimi kundër atakuesve të privatësisë së tij.

Në fakt, njeriu në kohën tonë është nën vëzhgim, edhe pa qenë objekt i përgjimeve ose ndjekjes së planifikuar agjenturore, policore, ose mediale. Secili person që ka një telefon “të mençur”, potencialisht është i përgjuar dhe i përcjellë. Secili person që ka një imejl aktiv, poashtu potencialisht është nën mbikëqyrje.

Secili person që ka një profil në fejsbbuk dhe në rrjetet e tjera sociale, gjithsesi potencialisht është nën vëzhgim dhe i përcjellë në çdo fjalë e në çdo veprim të tijin brenda asaj hapësire. Pra, e gjithë hapësira e komunikimit dhe veprimit, e cila realisht është pjesë e privatësisë së tij, është potencialisht e vëzhguar, e survejuar.

Kur t’i shtohet kësaj tabloje edhe tjetra se shumë nga hapësirat nëpër të cilat kalon ose ku futet individi gjatë ditës, që nga rrugët, shitoret e deri në vendin e punës, janë nën vëzhgimin e kamerave, bëhet edhe më e qartë se njeriu sot gjithandej është i mbikëqyrur.

Nga ana tjetër, përcjellja e fshehtë dhe bezdisëse nga ana e shërbimeve sekrete dhe e medieve, për shumë persona publikë, politikë e të shou-bizit, gjithashtu është si një racion ditor. Pra, përderi sa pasqyrat vezulluese në një holl hoteli mund të jenë vetëm të bezdisshme, por të padëmshme, të gjitha këto të tjerat që u përmenden (telefoni, imejli, rrjetet sociale, shërbimet sekrete e mediet) në kontekste të ndryshme mund të jenë jo vetëm të bezdisshme, por edhe të rrezikshme për privatësinë dhe gjithë lirinë e individit.

Tashmë edhe në shoqërinë tonë ka pasur raste të arrestimeve të personave që kanë komunikuar me telefona, ose në rrjete sociale, lidhur me ideologjinë ekstremiste. Po, edhe raste të aferave korruptive dhe të skandaleve politike e seksuale.

E gjithë bota tashmë është mbushur me këto përvoja, duke ia kaluar periudhës së socializmit, kur njerëzit dënoheshin me një nen në kodin penal, i cili quhej neni i deliktit verbal. Mund të thuhet se mundësia për t’u mbrojtur nga rreziku i deliktit verbal ka qenë më e madhe në kohën e diktaturës socialiste, se sa në kohën e neoliberalizmit të sotëm, gjë që paraqet paradoks të llojit të vet. Pse? Sepse në atë periudhë ka pasur rregulla strikte, sipas të cilave qytetarëve u ndalohej të flisnin e të shkruanin kundër rendit e shtetit, prandaj nën goditjen e tij vinin kryesisht ata që me vetëdije rebeloheshin, si disidentë, kundërshtarë të regjimit.

Ndërsa në kohën tonë, në parim gjithçka është e lejueshme, ndërsa në praktikë, disa nga shprehjet dhe veprimet i ekspozohen ndëshkimit të rëndë penal. Kjo ka të bëjë më së shumti me atë komunikim dhe ato veprime që konsiderohen si ekstremiste, nga pozitat e ekstremizmit fetar islam. Në rast se një imejl, një telefonatë ose një postim në fejsbuk, konsiderohet se është i kësaj natyre, personi me automatizëm ndiqet e penalizohet.

Në këtë kontekst, përveç rasteve kur ka pasur komunikime me përmbatjje vërtet ekstremiste, ka pasur edhe raste që janë penalizuar persona që kanë komunikuar me naivitet, pa pasur ndonjë axhendë ekstremiste. Prandaj, të gjitha këto përvoja tashmë e bëjnë të domosdoshme që të analizohet ky realitet dhe të gjenden mënyra që njerëzit, me theks te besimtarët muslimanë, të komunikojnë pa rrezikuar që t’i ekspozohen rrezikut nga përndjekja dhe penalizimi.

Kjo aspak nuk don të thotë se duhet të hiqet dorë nga shfrytëzimi i këtyre mjeteve të komunikimit dhe komunikimit intensiv. Aspak. Por, kjo do të thotë se duhet të shtohet përgjegjësia individale në komunikimin e secilit indvid, duke e pasur të qartë se privatësia dhe liria e secilit potencialisht është nën mbikëqyrje dhe e rrezikuar. Dhe duke e pasur të qartë se mënyra më efikase e mbrojtjes së privatësisë dhe lirisë, është të bërit e një jete të pastër morale, pra, pa pasur arsye të fshehet asgjë, as në komunikimin më privat.

Besimtari musliman në kohën tonë postmoderne dhe në hapësirat tona gjeokulturore e gjeopolitike, duke pasur përgjegjësinë e besimit të vet, duhet të shmang komunikimin e pahijshëm, duhet të mos përdorë gjuhën e urrejtjes, të mos përdorë shpifjen, thashethemet, intrigat, komplotimin, planifikimin okult. Besimtari duhet të përdorë fjalë sa më të zgjedhura e të matura, madje edhe me oponentët e vet. Duhet të ketë kujdes që të mos keqkuptohet dhe të mos ketë arsye të tentojë të fshehë asgjë.

Kjo sjellje e këto veprime në komunikim janë në pajtim me esencën e besimit tonë, sepse sipas Shpalljes Hyjnore, asnjë njeri nuk mund të fshehë asgjë, para Krijuesit të vet. Krijuesi na ka njoftuar se secilin njeri e shoqërojnë nga dy melekë, që regjistrojnë çdo punë të tij, njëri veprat e mira e tjetri ato të këqijat. Prandaj, kur jemi të bindur se nuk mund të fshehim asgjë para Krijuesit, që do të na marrë në përgjegjësi në Ditën e Gjykimit, ne e kemi shumë më lehtë të jetojmë me bindjen se nuk kemi çka të fshehim as prej njerëzve.

Jeta me besim të plotë në Zotin Një, në melekët e Tij, në shpalljet e Tij, në të dërguarit e Tij dhe në jetën e Ahiretit, e përmbushur me pastërti morale, është vendimtare në këtë kontekst. Nëse nuk shpifim, nuk gënjejmë, nuk mallkojmë, nuk komplotojmë, nuk mashtrojmë, nuk planifikojmë veprime okulte, e gjitha kjo domosdoshmërisht manifestohet në komunikimin tonë, qoftë në telefon, qoftë në imejl, qoftë në rrjete sociale, medie e kudo tjetër. Kjo gjë është posaçërisht e rëndësishme në kohën në të cilën jetojmë, kur janë ngritur shumë paragjykime ndaj ne muslimanëve dhe qëllimeve tona.

Pandaj, këto paragjykime që janë të vjetra e të rrënjosura, veçanërisht në ambientin gjeokultutor e gjeopolitik ku jetojmë ne shqiptarët, mund të zbuten vetëm nëse ne japim shembuj të komunikimit fisnik dhe të veprimit dashamirës me të gjithë njerëzit. Fatkeqësisht, disa komunikime që i shoh përditë në fejsbuk, që postohen me parashenjë të frymëzimit ose militantizmit islam, nuk janë në këtë frymë. Shpesh herë në këso postimesh ka gjuhë të urrejtjes, etiketime të shëmtuara, mallkime, thashetheme, madje edhe intriga.

Ndonëse kjo gjuhë e rëndë dhe e pahijshme më të shumtën, shfaqet si pasojë, pra si përgjigje ndaj sulmeve islamofobike, ajo kurrsesi nuk mund të arsyetohet, sepse besimtari nuk mund të shtyhet me islamofobin as në etiketime, as në shpifje e as në fyerje. Nëse do të tentonte të shtyhej në këtë garë të palavdishme, në atë rast, do të ishte e vështirë të shihej dallimi ndërmjet një besimtari dhe një provokatori. Natyrisht në sfondin konkret politik, besimtari do të rrezikonte të penalizohej, ndërsa provokatori do të mund të shpërblehej si “kontribues në luftën globale kundër ekstremizmit.”

Nëse nuk punohet seriozisht për evitimin e këtyre problemeve të komunikimit, privatësia dhe liria e secilit, veçmas të komunikuesve militantë të fesë islame, do të mbetet e kërcënuar. Paragjykimet e shtetit dhe të akterëve të tjerë të fuqishëm, mund të shtohen dhe prej tyre të krijohen edhe pretekste të reja për mbikëqyrje e për ndëshkime të vazhdueshme. (Qoftë dhe për ndonjë mahi naive, si ajo që tematizohet në  romanin “Shakaja” të Milan Kunderës.)

Pra, mesazhi i këtij teksti modest është: meqë ne jemi të  mbikëqyrur nga Krijuesi Ynë dhe nga melekët e tij, ne e dimë se nuk mund të fshehim asgjë, prandaj duhet të jetojmë e të punojmë ashtu që të mos kemi nevojë të tentojmë të fshehim asgjë. Kur nuk kemi nevojë të fshehim asgjë, falë pastërtisë së jetës dhe punëve tona, nuk kemi pse ndihemi të dëshpëruar e as të rebeluar nga format teknologjike e njerëzore të mbikëqyrjes dhe provokimeve.

Ato janë shumë më të parëndësishme se sa mbikëqyrja që na e bën Zoti Ynë. Prandaj, edhe duhet të vazhdojmë të komunikojmë normalisht, por me përgjegjësi për çdo fjalë e çdo veprim, sepse për të gjitha kemi përgjegjësi para Zotit tonë, në rend të parë. Nëse në çdo fjalë e në çdo veprim e kemi para sysh përgjegjësinë para Zotit, jeta jonë private dhe liria jonë do të jenë brenda vlerave morale dhe nuk do të kemi zavalle as nga mbikëqyrjet e provokimet keqdashëse.