Prishtina triumfon në derbin e vjetër, mposhtë Besën dhe vazhdon kryesimin në Superligë

Lideri aktual i elitës së futbollit kosovar, Prishtina ka marrë një fitore të lehtë në udhëtim te Besa 3-1.

Prishtina që nga minuta e parë e ndeshjes filloi sulmet në drejtim të portës së vendasve.

Në minutën e katërt Mazrekaj harkoi bukur në zonë, ndërsa Makenda goditi me kokë por Besën e shpëtoi shtylla.

Golin e epërsisë Prishtina e arriti në minutën e 10-të të ndeshjes.

Ishte futbollisti më në formë i tyre, Gauthier Makenda që u shërbye mirë nga Bozovic dhe shënoi për 0-1.

Pejanët u rikthyen në lojë pasi arritën të barazonin rezultatin në 1-1 në minutën e 27’.

Kasami asistoi bukur te Florent Qorraj i cili shënoi për t’i barazuar shifrat.

Por gëzimi i vendasve nuk zgjati më shumë se 13 minuta dhe Prishtina kaloi përsëri në epërsi.

Kapiteni i kryeqytetasve, Armend Dallku shënoi nga penalltia për epërsinë e Prishtinës 2-1.

Dy minuta pas prishtinasit kaluan në epërsi, Besa mbeti me një lojtar më pak në fushë pas përjashtimit të futbollistit Mullabeqirovic.

Me epërsinë prej një goli të mysafirëve përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.

Prishtina ishte më e mirë në fushë edhe në pjesën e dytë ku dominonte përballë Besës.

Në minutën e 80, sulmuesi i Prishtinës, Ahemd Jonuzi arriti të shënonte golin e tretë për bardh e kaltërtit pasi kaloi edhe portierin vendas.

Krejt në fund të ndeshjes, Blendi Baftiu i Prishtinës ishte afër golit por që goditi vetëm shtyllën.

Prishtina kësisoj mbetet në pozitë e parë në tabelë me 42 pikë të grumbulluara.

Ndërkohë Besa e Pejës vazhdon të mbetët në pozitë të palakmuar pasi zë vendin e 11-të me vetëm 14 pikë.