Prishtina “paralizohet” nga shiu (Foto)

Ndonëse për një kohë jo të gjatë, për rreth gjysmë ore, shiu dhe breshëri që kanë përfshirë ditën e sotme kryeqytetin ka bërë që një pjesë e rrugëve të jenë shumë vështirë të kalueshme, për të mos thënë të pakalueshme.

Telegrafi ju sjell disa pamje të rrugëve të Prishtinës, gjegjësisht rrugës kryesore ndërmjet  (mbrapa) Teatrit Kombëtar dhe Kuvendit të Kosovës, ku shihen veturat duke qarkulluar me shumë vështirësi, pasi që rrugët janë mbushur me ujë.

Gjithashtu, përveçse në rrugë, uji i akumuluar aty ka “shpërthyer” duke mbuluar edhe një pjesë të trotuareve, duke e vështirësuar edhe qarkullimin e këmbësorëve, deri në lokalet përreth rrugës.

Shiu që ka “trazuar” kanalizimet ka bërë që të kundërmojë edhe një erë e keqe nëpër qendër të kryeqytetit.

Ndërkohë janë parë edhe (me gjasë) disa punëtorë të ndërmarrjes përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve në Komunën e Prishtinës, duke tentuar që ta zhbllokojnë një puset në rrugë. /Telegrafi/