Prishtina i jep leksion Llapit

Prishtina “trondit” Llapin brenda në Podujevë. Skuadra e Armend Dallkut reagoi fuqishëm pas humbjes në kryeqytet ndaj Feronikelit duke fituar në shtëpinë e llapjanëve me rezultatin e thellë 1-4.

 Një sukses që afron ndjeshëm Prishtinën me kreun dhe largon skuadrën Tahir Batatinës që gjithashtu synon titullin në këtë sezon. Nuk kishte shumë histori sfida e zhvilluar në Podujevë pasi Krasiniqi dhe Haliti i dhanë avantazhin e dyfishtë Prishtinës që në 32 minutat e para.

Në fraksionin e dytë shënuan edhe Januzi e Thaçi për rezultatin 0-4 ndërkohë që golin e vetëm për Llapin e shënoi Selmani në të 75-ën. Me këtë fitore Prishtina u ngjit në kuotën 27 pikëve ndërsa Llapi mbeti në kuotën e 24 të tillave.

 Përfundoi në barazim pa gola ndërkohë sfida tjetër e javës së 15-të e zhvilluar këtë të shtunë në Drenas ajo mes Feronikelit dhe Dritës një barazim që i shkoi më shumë përshtat skuadrës nga Gjilani.