Presidenti rumun refuzon emërimin e një gruaje myslimane në krye të qeverisë

Presidenti rumun Klaus Johanis ka refuzuar kandidaturën për Kryeministër të një gruaje myslimane. Nëse do të zgjidhej ajo të të ishte e para grua dhe e para myslimane që do të drejtonte qeverinë. Por presidenti tha se ajo nuk kishte eksperiencë politike. 
Sevil Shaideh do të ishte gruaja e risive në politikën rumune nëse do të zgjidhej kryeministre. Veç faktit që do të ishte e para femër në krye të qeverisë në historinë e Rumanisë, ajo gjithashtu do të ishte myslimania e parë që zgjidhej në këtë post. I përket minoritetit turk.
Por Presidenti Klaus Johanis e refuzoi kanidaturën e saj me pretendimin se nuk kishte eksperiencë të mjaftueshme në politikë për të drejtuar qeverinë.
52-vjeçarja u propozua nga socialdemokratët rumunë si kryeministre e vendit, pas fitores në zgjedhjet e 11 Dhjetorit. Posti i Kryeministrit i takonte kreut të socialdemokratëve rumunë Liviu Dragnea. Por ai nuk mund të zgjidhet pasi vuan dënimin për të qëndruar 2 vite larg posteve në administratë, i shpallur fajtor nga gjykata në Bukuresh si i përfshirë në një rast manipulimi votash. Ndaj dhe ishte vetë Dragnea që e propozoi Sevil Shaidenë si kryeministre.
Jo të gjithë në Rumani besojnë se refuzimi i presdientit për të emëruar Shiadenë si kryeministre është vetëm për shkak të mungesës së eksperiencës. Ajo ka qenë ministre e zhvillimit dhe administratës publike një vit më parë nën qeverisjen e një tjetër socialdemokrati Viktor Pontës. Gjithë jetën ka punuar si ekonomiste dhe nëpunëse civile. Megjithatë në qarqet politike, ajo shihet si një kukull e kreut aktual të socialdemokratëve Dragnea.
Socialdemokratët fituan 45% të votave në zgjedhjet e 11 Dhjetorit, me premtimin për rrijten e pensioneve dhe uljen e taksave. Zgjedhjet i fituan sërish, pavarësisht se ish-kryeministri socialdemokrat Viktor Ponta dha dorëheqjen në Nëntor të 2015-ës pas zjarrit masiv të rënë në një klub nate ku humbën jetën 64 persona. Viktor Ponta ka qenë edhe më herët në qendër të shumë skandaleve korruptive.