Presidenti i Jemenit refuzon planin e paqes të OKB-së

SANA (AA) – Presidenti i Jemenit, Abd Rabbuh Mansour Hadi, ka refuzuar planin e paqes të cilin ia propozoi përfaqësuesi special i Kombeve të Bashkuara për Jemenin, Ismail Vild Sejh Ahmed, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç raporton agjencia jemenase SABA, Hadi u takua me Ahmedin në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad, ku deklaroi se nuk ka pranuar planin e tij për paqe.

“Mendimet për planin e pretenduar të paqes, nuk janë asgjë përveç hapjes së derës për edhe më shumë luftë dhe dhimbje. Ky nuk është plan për paqe. Kjo nuk do të thotë vetëm mbjellje të farës për luftë të re, por në rast të pranimit të tij, puçistët do të shpërblehen. Populli jemenas dhe Qeveria legale do të ndëshkohen. Qeveria është prononcuar se një gjë të tillë nuk dëshiron ta pranojë”, deklaroi Hadi.

Hadi siç pretendohet i ka bërë thirrje Ahmedit që të kuptojë domosdoshmërinë e planit të parë të paqes, i cili nënkupton pamundësinë e plotë të ndikimit të puçistëve, tërheqjen nga territoret e okupuara dhe dorëzimin e armëve. Burimet e afërta me presidentin e Jemenit dhe mediat theksojnë se plani i propozuar ka për qëllim “kufizimin e kompetencave të presidentit Hadi”.