Presidenti Ademi flet për atmosferën në Sofje në prag të ndeshjes Bullgari – Kosovë

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka folur për atmosferën në Sofje, në prag të ndeshjes së kombëtares së Kosovës.

Kosova luan përballë Bullgarisë në ndeshjen që do të jetë e vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Evropian 2020.

Për ndeshjen që luhet në Sofje kanë udhëtuar edhe një grup i ‘Dardanëve’, tifozëve të Kosovës, të cilët nuk e lënë asnjëherë të vetme kombëtaren.

Për të gjitha këto ka folur Agim Ademi dhe lajmi.net ua përcjell më poshtë fjalët e presidentit, përmes FFK.

“Më gëzon fakti që sot ekipin kombëtar, ekipin e zemrës që e ndërtuam me shumë punë e sakrificë, por edhe me shumë dashuri po e mbështesim fuqishëm të gjithë. Paraqitjet e djemve tanë Dardanë po na bëjnë të gjithëve krenarë. Falënderoj të gjithë bashkatdhetarët që nuk po kursejnë asgjë për të qenë afër Kombëtares kudo që ajo luan.

Jam i lumtur që e kemi krijuar një ekip të fortë e cilësor dhe kam besim të plotë në punën e shtabit teknik dhe në angazhimin dhe kualitetin e futbollistëve.

Sot, djemve tanë u dëshiroj sukses dhe shpresoj t’u prijë fati dhe të mos kenë lëndime. Sot, ata kanë edhe një arsye shtesë për angazhim dhe për lojë sa më të mirë. Në këtë ndeshje do të luajmë pa Arbërin, i cili u lëndua në krye të detyrës. Me paraqitjen që do ta kemi sonte do t’i japim atij shumë kurajë e mbështetje në kalimin sa më të shpejtë të lëndimit dhe kthimin edhe më të fortë të tij në klubin ku luan dhe në Kombëtare. Prandaj, suksese djema, jemi me ju dhe kemi besim të plotë që do të vazhdojmë me krenari e përgjegjësi. Ju jeni krenaria jonë. Na priftë e mbara sonte”.

Kosova në këtë ndeshje futet pas një serie fenomenale prej 608 ditëve pa humbje, që përkthehet në 13 ndeshje.