Pompeo rikonfirmon: SHBA do të tërhiqen nga Siria

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha të enjten se tërheqja e plotë e trupave amerikane nga Siria, e njoftuar nga presidenti Donald Trump muajin e shkuar, do të ndodhë pavarësisht kritikave.

“Vendimi i Shteteve të Bashkuara dhe presidentit Trump për të tërhequr trupat nga Siria është marrë. Ne do ta bëjmë këtë”, tha Mike Pompeo.

Pompeo i bëri këto deklarata gjatë një konference për shtyp në Kajro, përkrah ministrit të Jashtëm të vendit, Sameh Shoukry.

Kryediplomati amerikan ndodhet në një tur në Lindjen e Mesme, me qëllim kryesor për të sheshuar shqetësimet e aleatëve rajonalë për planin e papritur të tërheqjes amerikane nga Siria.

Trump gjeti shumëkënd të papërgatitur, kur deklaroi se Amerika do të tërhiqte trupat nga Siria, pasi grupi i ashtuquajtur “Shteti Islamik” ishte mundur, por janë të shumtë ata që mendojnë se kjo tërheqje e parakohshme do të çonte në një rizgjim të grupit.

Sidoqoftë, nga Egjipti Pompeo tha se Uashingtoni do të vazhdojë të përfundojë luftën kundër militantëve të ISIS, duke shtuar se Amerika do të mbetet partnere e palëkundur në Lindjen e Mesme.

Ai arriti në Egjipt të enjten, pas vizitave në Jordani dhe Irak. Nga Egjipti, Pompeo do të vazhdojë për në shtetet e Gjirit Arab.

Top Channel

SHPËRNDAJE