Pompeo mbërrin në Arabinë Saudite për bisedime mbi Iranin

Kryediplomati i SHBA-ve, Mike Pompeo, në qytetin Jeddah ka zhvilluar bisedime me mbretin saudit, Salman bin Abdulaziz, mbi marrëdhëniet strategjike midis Washingtonit dhe Riadit, si dhe mbi zhvillimet e fundit rajonale dhe ndërkombëtare, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç raporton agjencia zyrtare e lajmeve SPA, Pompeo më vonë pritet të takohet edhe me princin e kurorës, Mohamed bin Salman, para se të niset për Emiratet e Bashkuara Arabe në kuadër të turneut të tij rajonal.

Të dielën, Pompeo paralajmëroi se ai do të udhëtojë për në Lindjen e Mesme të takojë aleatët në rajon për të formuar një “koalicion global” kundër Iranit.

Pompeo theksoi se administrata e SHBA-ve ishte e gatshme për negociata me Iranin.

Vizita e kryediplomatit Pompeo vjen vetëm disa ditë pasi javën e kaluar SHBA dhe Irani arritën në prag të luftës, si pasojë e rrëzimit të një droni amerikan nga Irani mbi ngushticën e Hormuzit.

Ndërkohë, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, tha se ai hoqi dorë minutën e fundit nga një sulm hakmarrës kundër Iranit, sepse nuk do të ishte “përgjigje proporcionale”.

Tensionet midis SHBA-ve dhe Iranit janë në rritje që nga maji i vitit 2018, kur Washingtoni në mënyrë të njëanshme u tërhoq nga marrëveshja e rëndësishme midis Iranit dhe pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe Gjermania dhe BE-ja.

Që atëherë, SHBA-të kanë filluar një fushatë diplomatike dhe ekonomike për të rritur presionin ndaj Iranit për ta detyruar të rinegociojë marrëveshjen.

Një pjesë e fushatës së saj ka përfshirë ri-imponimin e sanksioneve amerikane mbi eksportet e naftës iraniane, e cila ka çuar ekonominë iraniane në një ulje kulmore.

SHBA-të po ashtu kanë rritur praninë ushtarake në Lindjen e Mesme duke i përdorur kërcënimet nga Irani si arsyetim për veprimet.

Dy javë më parë, administrata e presidentit amerikan njoftoi se do të dërgojë një mijë trupa shtesë në Lindjen e Mesme, duke theksuar “kërcënimet në rritje nga Irani”.