Pompeo: Jam shpresues për armëpushim të përhershëm në Libi

Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Mike Pompeo ka deklaruar se është shpresues për atmosferën e paraqitur në konferencën e mbajtur në Berlin lidhur me vendosjen e armëpushimit në Libi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pas konferencës për Libinë, Pompeo tha se ka ende shumë punë për të bërë.

“Ka ende shumë punë për të bërë. Është një fushë e ndërlikuar lufte, por presidenti Erdoğan, presidenti Putin, kancelarja Merkel dhe përfaqësuesi special i OKB-së Salame paraqitën premtime të sinqerta. Ata thanë se do t’i ulin rreziqet dhe do të vendosin në zbatim armëpushimin”, tha Pompeo duke shtuar se në konferencë kanë arritur një përparim të rëndësishëm drejt një armëpushimi gjithëpërfshirës.

– “Tashmë jam shpresues se do të ketë më pak dhunë”

“Tashmë jam shpresues se do të ketë më pak dhunë”, tha Pompeo duke vënë në dukje se do të vazhdojnë të ndjekin nga afër procesin dhe se të gjitha palët në fjalë duhet të zbatojnë embargon e armëve ndaj Libisë.

Ai tha se përfaqësuesi i OKB-së për Libinë, Ghassan Salame do të vazhdojë bisedimet me palët në vend dhe se në krahasim me dje, sot janë në një pikë më pozitive.

“Amerika ka interesa në lidhje me luftën kundër terrorizmit. Gjithashtu në Libi ka mundësi të rëndësishme enegjie”, tha sekretari Pompeo në përmbledhjen e tij lidhur me pozicionin e SHBA-së në Libi, duke dhënë mesazhin se do të vazhojnë përpjekjet diplomatike për një zgjidhje politike në Libi.

Të dielën në Berlin të Gjermanisë u mbajt konferenca për Libinë me qëllim vendosjen e armëpushimit të përhershëm dhe fillimin e procesit politik. Në deklaratën përfundimtare krahas armëpushimit, palëve dhe mbështetësve iu bë thirrje që t’u japin fund aktiviteteve të tyre ushtarake dhe t‘i përmbahen embargos së armëve të OKB-së.