Politikani që deshi ndërtimin e një xhamie dorëhiqet nga partia shkaku i presioneve

I deleguari në Këshillin Bashkiak të qytetit Kramfors nga qarku Vasternorrland në veri të Suedisë, njëherësh anëtar i Partisë Demokratike të Suedisë (SD), Mark Collin, i cili ndërmori nismën për ndërtimin e një xhamie dhe të një qendre kulturore në qytet, ka dhënë dorëheqje nga partia, si rrjedhojë të një presioni të madh të cilit i ishte nënshtruar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim, Collin thotë se për shkak të ofrimit të mbështetjes për muslimanët në këtë vend që ata të ndërtojnë një xhami dhe një qendër kulturore islamike u është ekspozuar kritikave të rënda, madje edhe sulmeve që për bazë kanë urrejtjen.

“Unë jam politikan i pastër dhe i vjetër në politikë. Mendova se ksenofobia kishte braktisur Partinë Demokratike. Nuk mund që një parti të udhëhiqet në vitin 2019 sipas ligjeve të Nurembergut” shkroi Collin.

Ai shtoi se pas nismës të cilën e kishte propozuar, partia nisi një hetim kundër tij, për të shtuar se nuk mundi të përballojë presionet me të cilat u përball, për çka vendosi të largohet nga kjo parti.

Collin thekson se në bashkëpunim me partitë tjera do të vazhdojë përpjekjet për ndërtimin e xhamisë dhe qendrës në këtë qytet të vogël suedez.

“Ideja ime ka të bëjë me faktin se nëse keni një xhami dhe një qendër kulturore, atëherë ju bëni që muslimanët të jenë përgjegjës për qytetin tonë dhe zonën këtu”, tha më herët Collin.

Sipas tij, për të ardhmen e qytetit është e nevojshme prania e muslimanëve pasi qyteti Kramfors humb 100 njerëz në vit, ndërsa qarku Vasternorrland humb rreth 500 qytetarë në vit.