Policia: Qytetarët po e presin mirë ligjin e ri për trafikun

Dy ditë pas fillimit të zbatimit të ligjit të ri për trafikun, zyrtarët e Policisë së Kosovës thonë se nuk kanë marrë asnjë vërejtje apo ankesë lidhur me këtë ligj. Jeton Rexhepi, drejtor i Departamenti Rrugor në Policinë e Kosovës për lajmi.net tha se kanë filluar me zbatimin ligjit dhe deri tash qytetarët e kanë pritur shumë mirë.

“Ligji ka për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe sigurisë rrugore duke krijuar normalitet në trafik. Nuk kemi pranuar ndonjë vërejte qoftë nga zyrtarët policorë, qoftë nga qytetarët. Gjithçka është duke shkuar mirë”, thotë Rexhepi.

Ai shtoi se do të analizojnë që në rast të paraqitjes eventuale të ndonjë mangësie, do të drejtohet te institucionet përkatëse. Rexhepi po konsideron se është shumë mirë që qytetari e ka kuptuar rëndësinë e sigurisë rrugore.

“Numri i gjobave të trafikut qysh dje kanë pas një ulje të lehtë në krahasim me gjobat e ditëve tjera. Ne jemi duke punuar në vetëdijesimin e vozitësve për kundërvajtjet që kanë pësuar ndryshime. Por fatmirësisht çdo shofer po është i njoftuar me ndryshimet e ligjit, dhe kjo është shumë mirë sepse ata vetëm se kanë filluar të vetëdijesohen”, tregon Rexhepi.

Shoferët që kanë mundësi t’i paguajnë gjobat brenda afatit 8-ditor nga dita e dënimit, atëherë mund ta kryejnë me vetëm gjysmë shume, kurse pas 8 ditëve duhet paguar i tëri dënimi.