Policia posedon xhirimet nga disa lokacione pas vrasjes së Ivanoviqit

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun e Mitrovicës, Besim Hoti në një prononcim për Telegrafin ka treguar detajet e hetimeve që po zhvillohen pas vrasjes së liderit serb në Mitrovicë, Oliver Ivanoviq.

Hoti ka bërë të ditur se kanë marrë xhirime nga vendi i ngjarjes dhe atë nga disa lokacione ku besojnë se ka mundur të lëviz automjeti.

“Xhirimet materiale janë dërguar në sektorin e IT-së për verifikime, pastrime dhe për kontrollin pastaj të këtyre provave”, tha ai për Telegrafin.

Zëvendësdrejtori i Policisë sqaroi më tej se provat janë në proces prej hetuesve në bashkëpunim me prokurorin.

“Hetuesit dhe prokurorët janë duke punuar në motivin e rastit”, tha ai.

Ndryshe, një ditë më parë kryetari i Iniciativës Qytetare “Serbia, Demokracia, Drejtësia” (SDP) Oliver Ivanoviq është sulmuar me armë zjarri para zyrës së tij në veri të Mitrovicës, ndërsa si pasojë ka ndërruar jetë në spitalin rajonal në veri të Mitrovicës.