Policia izraelite arreston 6 shtetas turq

Policia izraelite arrestoi gjashtë shtetas të Turqisë të cilët vizituan Kompleksin Aksa në Kudsin Lindor të okupuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas informatave të marra nga dëshmitarët e rastit, policia arrestoi gjashtë shtetasit turq pas faljes së namazit të xhumasë në Aksa teksa po dilnin nga kompleksi.

Shtetasit turq të arrestuar nga policia izraelite u dërguan në stacionin policor David, i cili ndodhet në portën El-Halil (Jafa) të Qytetit të Vjetër, brenda së cilës ndodhet edhe Kompleksi Aksa.

Policia izraelite ka konfirmuar arrestimin e shtetasve turq, duke mos dhënë informata lidhur me arsyen e arrestimit.

Situatën janë duke e ndjekur edhe Ambasada e Turqisë në Tel Aviv dhe Kryekonsullata e saj në Kuds.