Policia e Kosovës paralajmëron prindërit për lojën ”Balena Blu”

Duke iu referuar shifrave të larta të fëmijëve të cilët kanë pësuar nga loja tashmë e njohur ‘’Balena Blu’’, Policia e Kosovës ka dal me një paralajmërim për prindërit, pasi kjo lojë e cila po zhvillohet përmes rrjeteve sociale, po del të jetë vetëvrasëse për të rinjtë, transmeton Klan Kosova.

Në njoftimin paralajmërues nga Policia e Kosovës thuhet:

Të nderuar prindër,

Duke e parë trendin e zhvillimeve globale në fushën e shfrytëzimit të rrjeteve sociale të komunikimit dhe lojërave ‘online’ për të rinjtë, tani më është paraqitur një nevojë e domosdoshme që seriozisht si prindër dhe shoqëri në përgjithësi të merremi me një mbikëqyrje dhe bashkëbisedim direkt me fëmijët tanë.

Sipas informatave të qasshme në internet, është paraqitur dhe po përhapet me shpejtësi një lojë ‘online’ mjaft e rrezikshme për fëmijë që quhet “BLUE WHALE GAME”  apo ndryshme po njihet edhe si “LOJA VETËVRASËSE”.

Me shpejtësi rekorde kjo lojë është duke u shpërndarë në shumë shtete të botës, përfshirë edhe shtetet e Evropës. Lajmet për përhapjen e kësaj loje të rrezikshme vetëvrasëse për të rinjtë vijnë duke pasur parasysh vetëvrasjen e rreth 130 të miturve në Rusi (informacione të publikuara në media).

Sipas disa informatave të marra nga rrjetet sociale, kjo lojë origjinën dyshohet se e ka nga Rusia dhe se që nga viti 2016 është përhapur dhe ka fituar vëmendjen e të rinjve.

Fatmirësisht, kjo lojë ende nuk ka mbërritur në masë në Republikën e Kosovës apo të paktën Policia e Kosovës nuk ka ndonjë informacion/rast të tillë, por që Policia e juaj dëshiron të ngritë nivelin e vëmendjes tek të gjithë prindërit për mundësinë potenciale që edhe fëmijët tanë të mund të bien pre e kësaj loje degjeneruese dhe shkatërruese për ta.

 ÇKA ËSHTË KJO LOJË KAQ E RREZIKSHME PËR TË RINJTË?

Loja “THE BLUE WHALE GAME” është një lojë që zhvillohet ‘online’ e cila kryesisht synon të shënjestrojë të rinjtë që janë të ndjeshëm apo sensitivë ku më pas, për një kohë të caktuar do t’i bindin të kryejnë VETËVRASJE. Kryesisht kjo lojë tek të rinjtë shpërndahet përmes rrjeteve sociale të komunikimit.

Në momentin që të rinjtë futen për të luajtur këtë lojë, loja “THE BLUE WHALE GAME” nga një grup i personave që administrojnë me këtë lojë, fëmijëve u jepen detyra  të cilat ata kanë afat 50 ditë për t’i kryer apo përfunduar.

Këto detyra mund të përfshijnë p.sh. shikimin e filmave horrorë, të zgjohen herët në mëngjes me qëllim të çrregullimit të rutinës dhe aktiviteteve ditore.

Këto detyra të dhëna nga administratorët e kësaj loje dita ditës vijnë duke u vështirësuar për të rinjtë dhe bëhen shumë ekstreme përgjatë 50 ditëve sa zgjat kjo lojë. Diku kah fundi i këtyre ditëve, disa anëtarë të administrimit të kësaj loje inkurajojnë të rinjtë që t’i shkaktojnë lëndime vetvetes duke i stimuluar ata që të gërvishtin deri në gjakosje dorën e tyre duke e vizatuar ‘balenën e kaltër’ dhe në njëfarë forme bëjnë ‘shpëlarjen e trurit të të rinjve’.

Në ditën e 50-të të lojës fëmijët që luajnë këtë lojë seriozisht inkurajohen nga administratorët e kësaj loje që të kryejnë vetëvrasje për të përfunduar lojën me sukses.

ÇKA MUND TË BËJMË PËR TË MBROJTUR DHE PARANDALUAR KËRCËNIMIN PËR FËMIJËT TANË?

  • Pyetni fëmijët tuaj se çka janë duke shikuar gjatë përdorimit të kompjuterit (telefonit të mençur, tabletit, laptopit). Është shumë me rëndësi që ju si prindër të kuptoni se çfarë web-faqesh fëmijët vizitojnë, me kënd komunikojnë në rrjetet sociale, çfarë aplikacionesh përdorin dhe çfarë kanë të instaluar në pajisjet e tyre.
  • Kontrolloni dhe rregulloni privatësinë e fëmijëve tuaj në pajisjet që ata përdorin (kompjuter, telefon të mençur, tablet, laptop). Sigurohuni që fëmijët të dinë se si të krijojnë profilin e tyre duke bërë kufizime në shpërndarjen e tij (restriction) dhe duke e shndërruar profilin e tyre në ‘personal” (private).
  • Sigurohuni që fëmijët të dinë se kur dhe si të raportojnë dhe të bllokojnë personat e dyshuar apo të panjohur që përpiqen të komunikojnë me ta dhe të cilët publikojnë mesazhe të ndryshme me përmbajtje eksplicite dhe të dhunshme.
  • Sigurohuni që t’u tregoni fëmijëve tuaj që kurrë mos të shpërndajnë informata personale si dhe emrin e shkollës së tyre, numrin e telefonit, adresën e banimit apo diçka që do të identifikonte fëmijën.
  • Gjithmonë sigurohuni që të keni bashkëbisedim miqësor me fëmijën tuaj dhe të diskutoni për çështje të rrezikshme ku kemi të bëjmë me ngacmimet ‘online’ (cyberbulling), thashethemet dhe përqeshjet në mes të bashkëmoshatarëve dhe aspektet tjera të sigurisë që fëmijën tuaj e preokupojnë. Çdo herë kujdesuni që të monitoroni disponimin e fëmijës suaj dhe menjëherë bisedoni miqësisht me të për ndonjë problem potencial që ai apo ajo mund ta ketë.
  • Nëse si prindër vëreni ndonjë shenjë tek fëmija juaj si p.sh.: humbja e disponimit, zgjimi herët në mëngjes, mungesa e oreksit për ushqim, mbyllja me orë të tëra në dhomë, qëndrimi për kohë të gjatë në kompjuter apo pajisje elektronike që ai apo ajo përdor, apo edhe mungesa e interesimit për aktivitete jetësore në përgjithësi, MENJËHERË konsultohuni me ndonjë PSIKOLOG dhe njoftojeni Policinë e Kosovës, në Tel: 192 ose në  e-mail: [email protected] FACEBOOK: /kosovopoliceZIMP”