“Po të ishte islami fe e urrejtjes, nuk do të kishte kaq shumë myslimanë në botë”

Sekretari i përgjithshëm i Ligës së Botës Islame, Muhammed bin Abdulkerim Al Isa, ka vizituar sot Fakultetin e Studimeve Islame.

Ai me këtë rast, ka mbajtur ligjëratë për studentët e këtij fakulteti, ku edhe u bëri thirrje të rinjve që të lënë anash emocionet kur flitet për çështje fetare, duke i këshilluar ata të reagojnë me butësi e urtësi.

Ai tha se “Islami është fe e lehtësimit dhe butësisë, këtë e shprehin edhe thëniet e të dërguarit të Zotit”.

“Myslimanët janë më shumë se 1 miliardë e gjashtë qind milionë. Po të ishte feja islame ajo e cila përhapë urrejtje, nuk do të kishte këtë numër të madh”, theksoi Muhammed bin Abdulkerim Al Isa.

Ai gjatë kësaj ligjërate, foli edhe për ekstremizmin dhe radikalizmin duke e cekur se për luftimin e tyre, Arabia Saudite ka dhënë kontribut të madh.

“Arabia Saudite, është kundërshtare e madhe e terrorizmit, ajo themeloi qendrën për luftimin e ideologjisë radikaliste dhe ekstremiste, duke luftuar të gjitha mesazhet e tilla”, u shpreh sekretari i përgjithshëm i Ligës së Botës Islame.

Sipas tij, terrorizmi nuk ka mundësi të zhduket nëse nuk zhduket ideologjia e tillë.

SHPËRNDAJE