Plagosen disa persona në një sulm ndaj ambasadës amerikane në Irak

Burime nga policia irakiane kanë bërë të ditur se të paktën tre persona janë plagosur në një sulm me raketa ndaj ambasadës amerikane në Bagdad, raporton Anadolu Agency (AA).

Persona të paidentifikuar mëngjesin e sotëm kanë lançuar pesë raketa të tipit Katyusha në Zonën e Gjelbër në kryeqytetin irakian, disa prej të cilave drejtpërdrejtë goditën ambasadën amerikane. Sipas burimeve të sigurisë, sulmi ka shkaktuar djegien e një restoranti brenda kompleksit të ambasadës.

“Granatimet që kishin për shënjestër ndërtesën e Ambasadës Amerikane dhe rrethin e saj plagosën tre persona që u evakuuan menjëherë nga pala amerikane”, tha për AA burimi nga policia, i cili kërkoi të mbetet anonim për shkak të kufizimeve për t’u prononcuar për media.

Burimi nuk dha detaje për kombësinë e personave të plagosur apo për shkallën e lëndimeve të tyre.

“Forcat amerikane që kanë për obligim të mbrojnë ambasadën, kanë mbyllur të gjitha rrugët që çojnë në ndërtesë dhe vendosën masa të rrepta sigurie pas sulmit me raketa”, vuri në dukje burimi.

Më herët, kryeministri i përkohshëm i Irakut Adil Abdul-Mahdi e dënoi sulmin dhe urdhëroi që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Sipas deklaratës, Abdul-Mahdi paralajmëroi se “vazhdimi i kësaj sjelljeje të papërgjegjshme mund të çojë në pasoja serioze dhe të dëmtojë interesat më të larta të vendit dhe marrëdhëniet e saj me miqtë e vendit”.

Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, i cili vjen dy ditë pasi mijëra protestues u mblodhën në Bagdad dhe kërkuan largimin e trupave amerikane nga vendi.

Prania e trupave të huaj në Irak u aktualizua pas vrasjes së komandantit të lartë iranian Qasem Soleimani në fillim të këtij muaji në një sulm ajror amerikan në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Bagdadit.