Plaçkitet biznesmeni Hashim Deshishku, i vidhen 45 mijë euro dhe një makinë luksoze

Persona të maskuar dhe të armatosur pak para mëngjesit të së dielës, saktësisht në orën 3 e 35, kanë hyrë në një shtëpi në Prishtinë ku nga aty kanë vjedhur një shumë parash, stoli ari dhe një veturë

KosovaPress nga burime brenda Policisë mëson se bëhet fjalë për shtëpinë e biznesmenit Hashim Deshishku.

Këto burime bëjnë të ditur se nga shtëpia e biznesmenit hajnat kanë vjedhur rreth 45 mijë euro dhe veturën e cila vlerësohet se ka kushtuar 20 mijë euro.

Biznesmeni Hashim Deshishku e ka mohuar të ketë ndodhur kjo vjedhje në shtëpinë e tij që gjendet në rrugën “Murat Mehmeti”.

“Nuk është e vërtetë, nuk ka ndodhur në shtëpinë time”, tha Deshishku shumë shkurt nëpërmjet telefonit.

Ngjarja sipas Policisë ka ndodhur në rrugën “Murat Mehmeti” në orën 3 e 35 të datës 1 prill.

Policia nëpërmjet raportit 24 orësh nuk ka dhënë detaje për emrin e ankuesit në shtëpinë e të cilit ka ndodhur grabitja.

Sipas Policisë vetura e vjedhur është gjetur e braktisur në fshatin Zhur të Prizrenit.

“Ankuesi ka njoftuar se katër persona të maskuar dhe të armatosur, kanë hyrë brenda shtëpisë dhe i kanë grabitur një shumë të konsiderueshme parash dhe stoli ari, si dhe një veturë me targa vendore. Gjatë punës policore vetura e vjedhur është gjetur e braktisur në fshatin Zhur të Prizrenit. Nuk raportohet për të lënduar dhe njësitë policore janë duke hetuar rastin”, thuhet në raportin e Policisë.

Deshishku ka një varg biznesesh në Kosovë ndërsa një mandat ka qenë edhe deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.