Pesha e shtuar gjatë shtatzënisë mund të ndikojë në shëndetin e fëmijëve

Pesha e shtuar, më pak apo më shumë se ajo që rekomandohet gjatë shtatzënisë, në të ardhmen mund të shkaktojë rezultate negative në shëndetin e fëmijëve.

Në një studim, rezultatet e të cilit janë publikuar në revistën “Diabetologia” janë shqyrtuar rezultatet për 905 nëna, të cilat janë ndarë në dy grupe, ato të cilat kanë respektuar peshën e rekomanduar për shtim gjatë shtatzënisë dhe ato që nuk e kanë respektuar një gjë të tillë. Pjesë e studimit ishin edhe fëmijët e këtyre nënave.

Hulumtuesit nga Universiteti Hong Kong në Kinë vlerësuan gjendjen shëndetësore të zemrës së fëmijëve të nënave pjesëmarrëse, kur ata arritën në moshën 7-vjeçare.

Hulumtuesit të cilët vlerësuan peshën e nënës para shtatzënisë dhe shumë faktorë të tjerë të rrezikut konstatuan se në krahasim me nënat që kanë marrë peshën e rekomanduar, fëmijët e nënave që kanë marrë peshë më shumë se ajo e rekomanduar ishin më shumë në rrezik të tensionit të lartë, rezistencës së insulinës dhe indeksit të lartë të trupit.

Kurse në hulumtim tregohet se fëmijët e nënave të cilat kanë mbetur nën peshës së rekomanduar, kanë rrezik të lartë të tensionit dhe të diabetit.