Pesë deputetë janë shoqëruar në Polici

Referuar situatës dhe rrethanave të krijuara pas pengimit të mbajtjes së seancës parlamentare, duke hedhur për herën e tretë gaz lotsjellës nga deputetë të caktuar brenda në seancë, Policia e Kosovës, bazuar ne vendimin e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës ka ndërmarrë veprime profesionale për zbrazjen dhe kontrollimin e sallës së Kuvendit.

Fillimisht Policia e Kosovës, përmes zyrtarëve të saj të autorizuar për punë brenda në Kuvend, ka kërkuar nga deputetët që në mënyrë të drejtë, vullnetare të dalin nga salla e Kuvendit ashtu siç kërkohej me vendim të kryesisë së Kuvendit të RKS-së.

“Mirëpo, një gjë e tillë për lirimin e sallës së Kuvendit është refuzuar nga disa deputetë, Policia e Kosovës është detyruar që të veprojë për zhvendosjen, e deputetëve nga salla, për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme ligjore”, thuhet në deklaratën e Policisë.

Po ashtu bazuar në urdhëresën e Prokurorisë, Policia e Kosovës ka shoqëruar në polici pesë persona, deputetë, të cilët dyshohet se kanë hedhur gaz lotsjellës në sallën e parlamentit.

Për sqarim të opinionit Policia e Kosovës të gjitha veprimet e saja, duke përfshirë edhe arrestimet e bëra i realizon vetëm me urdhëresë të prokurorit kompetent, e jo të ndonjë institucioni tjetër.