Personat nën hetime duhet të jenë jashtë institucioneve dhe listave zgjedhore

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi tha të martën se personat që janë nën hetime nuk duhet të kenë poste në institucionet e vendit, por as të përfshihen në listat zgjedhore.

Ai në një konferencë me rastin e lansimit të programit të “Fondacionit Westminster për Demokraci në Kosovë”, tha se Kosova duhet të ketë parti politike gjithëpërfshirëse dhe transparente.

Presidenti foli për nismën e tij për miratimin e një kodi për dekriminalizimin e skenës politike në Kosovë.

Edhe ambasadori britanik në Kosovë, Ruari O’Connell ka folur për partitë politike në Kosovë.

Ai tha se është shqetësuese se partitë politike janë më së paku të besueshme në Kosovë.

“Ky fakt, është mjaftë shqetësues për Britaninë e Madhe. Andaj, ne kemi ofruar eksperiencën tonë që partitë politike të bëhen më përgjegjëse dhe transparente dhe së bashkua ta luftojnë të keqën”, ka thënë O’Conell.

Ambasadori britanik tha se qytetarët e Kosovës duhet të kërkojnë më shumë nga përfaqësuesit e zgjedhur.

“Si mund të presim që kriminelët të japin llogari qytetarëve të vet… Duhet të kemi parti politike të shëndosha, demokratike e transparente”, theksoi O’Conell.