Personat me aftësi të kufizuara punojnë në kafene dhe sfidojnë stereotipet

 Në zemër të Shkupit, në Qendrën tregtare të qytetit, kohë më parë është hapur një kafene e cila ka një koncept të ri të punës, punëson persona me aftësi të kufizuara, me qëllim inkluzionin dhe integrimin e tyre në shoqëri, gjë që e bën atë në Maqedoni të jetë lokali i parë i këtij lloji.

Ekipi i Anadolu Agency (AA) e vizitoi këtë kafene, tek e cila në shikim të parë mund të shihet se buzëqeshja e të punësuarve dhe “mirëseardhja” e tyre e ngrohtë janë vetëm dy nga shumë arsyet për shkak të të cilave vizitorët vendosin që ky vend të jetë zgjedhja e tyre, ku do të kalojnë një pjesë të kohës së tyre.

Filipi, një 20 vjeçar nga Shkupi, i cili ka sindromën Down, është një nga dhjetë të punësuarit në kafene, ku punon si kamarier. Në një bisedë për AA ai thotë se është i lumtur sepse mund të punojë në këtë kafene, ku ka njohur miq të rinj.

“Bëj gjithçka që duhet. Jam i kënaqur, punoj, shërbej… me mysafirët dhe kolegët puna ecën mirë, ndërsa unë i respektoj koleget dhe kolegët e mi”, thotë Filip, i cili shton se dita e tij e punës tani është e mbushur me përgjegjësi të punës që e bën atë të lumtur.

“Dita fillon bukur. Unë jam i buzëqeshur dhe i lumtur. Mësova të punoj, të laj enët, të shërbej kafe, çaj dhe gjithçka”, thotë Filip.

“Me kolegët mirë kuptohemi dhe dakordohemi. I dëgjoj koleget dhe kolegët e mi. Shoqërohemi edhe jashtë punës”, thotë ai, duke shtuar se përveç punës në kafene, ai gjithashtu luan edhe basketboll në kohën e lirë.

Svetomir Gerasimovski, 23 vjeç, është gjithashtu një person me aftësi të kufizuara që punon si kamarier në kafene. Ai është i kënaqur se si është pranuar nga kolegët dhe nga të tjerët në mjedisin në të cilin ai lëviz, ndërsa atë që e veçon si më impresionuese për të është festimi i ditëlindjes së tij të 23-të me kolegët e tij.

“Unë punoj si kamerier. I shërbej mysafirët. Miqësia me kolegët është fenomenale, ata janë një kolektiv i mrekullueshëm. Unë jam në vitin e fundit të studimit të turizmit në Universitetin ‘Goce Dellçev’ në Shtip dhe kam një përvojë teorike. Unë kam drejtimin për restorant, hotel dhe di diçka nga menaxhimi i restoranteve. Më mungonte vetëm përvoja praktike”, thotë Svetomir duke treguar historinë e tij të jetës për AA.

Kafene e cila i sfidon stereotipet

Ideja për të hapur një kafene që do të ketë një koncept të ri të punës, që do të punësojë persona me nevoja të veçanta, ishte e punonjësit social Marijan Petrov nga Shkupi, i cili për këtë hap vendosi pas bisedimeve me kolegët e Fakultetit Filozofik në Shkup në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”.

Ideja u mbështet nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale e Maqedonisë dhe që nga fillimi i nëntorit ata filluan me punë.

Petrov thotë se ata vendosën të jenë në qendër të qytetit, në një vend të dukshëm dhe të njohur, në të cilin personat me aftësi të kufizuara do të shihen dhe do të kenë mundësi të jenë në kontakt të vazhdueshëm dhe në komunikim me njerëz të ndryshëm.

Edhe pse punonjësit janë persona me aftësi të kufizuara, ai është i kënaqur me to. Ai thotë se punonjësit janë duke bërë punën e tyre mirë dhe janë pranuar mirë nga të tjerët në këtë rreth.

“Unë do të doja që të ngritet ndërgjegjësimi i përgjithshëm dhe të zvogëlohen stereotipet. Të gjitha kompanitë duhet të ngrenë këtë përgjegjësi personale, të punojnë me kategori të rrezikuara sociale dhe t’i punësojnë ata, duke krijuar një shoqëri më të mirë për të gjithë”, thekson Petrov duke shpjeguar idenë e tyre dhe qëllimin e ekzistencës.

Sipas tij, pjesa ekonomike nuk është qëllimi kryesor në punën e kësaj kafeneje, por për të gjëja më e rëndësishme është që personat me aftësi të kufizuara të jenë më inkluziv dhe kafeneja të jetë e vetëmbajtshme.

Puna dhe shoqërimi në kafene me njerëz të cilët do t’u kushtojnë vëmendje personave me aftësi të kufizuara dhe do të fitojnë besimin e tyre është një faqe e re në jetën e këtyre njerëzve, gjë që jep shpresë se një e ardhme më e ndritur do të vijë për ta.

Të flitet për atë që personat me aftësi të kufizuara mund të bëjne, e jo për atë që nuk munden

Në mbarë botën më 3 dhjetor shënohet Dita Botërore e Personave me Aftësi të Kufizuara. Gjithashtu, gjatë viteve, kjo datë është shënuar me aktivitete të ndryshme në Maqedoni, në të cilat marrin pjesë organizatat joqeveritare që fokusohen në punën e personave me aftësi të kufizuara, ndërsa mbështetje japin edhe institucionet shtetërore.

Supozohet se rreth 10 për qind e popullsisë në Maqedoni ka një hendikap më të vogël apo më të madh.

Duke përmendur shifra nga Agjencia për Punësim nga viti 2017, nga “Polio Plus” – Lëvizja kundër hendikapit, nga Shkupi, vetëm 2.300 persona në Maqedoni janë të angazhuar me punë, që sipas tyre është një shifër e pakënaqshme.

Gjithashtu, kjo lëvizje vëren se nuk ka statistika zyrtare për numrin e këtyre personave, ndonëse sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Maqedoni, 10 për qind e popullsisë së përgjithshme ka një hendikap më të vogël ose më të madh. Sipas Entit Shtetëror të Statistikave të Republikës së Maqedonisë, popullsia në Maqedoni është 2.075.301 banorë.

Në sistemin e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale të Maqedonisë janë të regjistruar 21.650 përdorues me aftësi të kufizuara, njoftuan për AA nga kjo ministri.

Shoqatat që punojnë për të përmirësuar statusin e personave me aftësi të kufizuara gjatë viteve përmes aktiviteteve të ndryshme, përpiqen të ndryshojnë ndërgjegjësimin publik tek njerëzit. Më shumë për atë që personat me aftësi të kufizuara mund të bëjnë dhe jo për atë që nuk munden.

Problemet kryesore me të cilat ballafaqohen personat me aftësi të kufizuara janë qasja deri tek vendi i punës, arsimi dhe në përgjithësi ekzistenca e tyre.