Përse Zoti u kërkon njerëzve ta adhurojnë Atë?

Kjo pyetje është bërë kritikë e përsëritur ndër antagonistët e fesë. Madje ka nxitur dyshime te teistët, të cilët, të lodhur nga përsëritja e vazhdueshme e saj, i kanë humbur shpresat për një përgjigje të kënaqshme. Ky shkrim bazohet në librin me të njëjtin titull nga Dr. Sami Ameri[1], i cili ofron një kritikë interesante të kësaj pyetjeje, si dhe një sërë përgjigjesh për të.

Argumentet e ateistëve janë aq të zhurmshme dhe të përhapura, saqë mund të duken shumë në numër dhe të thella në përmbajtje. Por, me një shqyrtim më të afërt, mund të shohim se ato, në fakt, janë të pakta dhe të ricikluara. Ato, në të shumtën e rasteve, përfshijnë supozime të pabazuara për realitetet pas dimensionit tonë të kufizuar, siç janë përjetësia e materies apo atributet dhe veprat e Zotit. Natyrisht, këto të fundit janë më të ndërlikuara sesa ajo e para, sepse përfshijnë botën e paprekshme, në të cilën nuk kemi qasje të drejtpërdrejt.

Disa prej pyetjeve të parashtruara nga ateistët i përkasin urtësisë që fshihet prapa kërkesës së Zotit ndaj krijesave të Tij për ta adhuruar Atë. Pyetjet janë të formuluara kështu: pse Zoti kërkon ta adhurojmë Atë kur Ai nuk ka nevojë për adhurimin tonë? Çka përfiton Zoti nga namazi, lutja dhe agjërimi jonë? Disa mund të pyesin, në rend të parë: pse Zoti na krijoi? Por, kur atyre u thuhet se ne jemi krijuar për ta adhuruar Atë, ata sakaq kundërshtojnë: po çka fiton Ai nga adhurimi jonë? Kjo pyetje na kthen te pyetja e parë. Shkrimi fillon duke paraqitur tri arsye pse pyetja “përse Zoti kërkon ta adhurojmë?” është qenësisht problematike. Më pas i përgjigjet pyetjes më me vend: “pse ne kemi nevojë ta adhurojmë Zotin?”

Dekonstruktimi i pyetjes

Të kuptuarit e pyetjes drejt është i nevojshëm, ngaqë shumë argumente të ateistëve janë të ngritura me qëllim të fshehjes së gabimeve logjike dhe thelbësore të tyre. Trajtimi i pyetjes nxjerr në pah parakuptimet e saj. Është e rëndësishme të vërtetojmë mospërputhjen në vete të pyetjes para se të mbledhim argumente për ta diskredituar atë. Një mospërputhje në vete e pyetjes ekziston kur premisat që pyetësi i shpërfill nuk tingëllojnë aq praktike sa ata pretendojnë.

1. Kufizimet tona në të kuptuarit e Hyjnisë

Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Velloja e Tij (e Zotit) është prej drite. Sikur ta hiqte atë, ndriçimi i Fytyrës së Tij do të digjte çdo krijesë mbi të cilën do të binte Shikimi i Tij.” [2]

Gjykimi mbi diçka parimisht kërkon të kuptuarit e saj. Meqenëse qeniet njerëzore janë krijesa të kufizuara, ato janë të paafta të kuptojnë tërësisht realitetin e një Zoti të përhershëm dhe Përsosurinë e Tij. Mbi të gjitha, njerëzit nuk kanë qasje të drejtpërdrejtë në Qenien e Zotit, as aftësi pamore e mendore për ta përballuar këtë qasje po t’iu dhurohej, as nuk kanë qasje në diç të ngjashme që do ta lejonte imagjinatën e tyre të formojë ndonjë imazh mendor. Së këtejmi, numëruesi kryesor për të kritikuar Zotin – kuptimi i plotë i Zotit – nuk ekziston. Zoti i Lartësuar ka thënë: “Asgjë nuk i shëmbëllen Atij. Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha.” [Esh-Shura 42:11]. Allahu e përsërit gjetiu: “Ai e di se çka gjendet përpara tyre dhe çka i pret pas asaj, kurse ata nuk mund ta dinë këtë.” [TaHa 20:110]. Për këtë arsye, ne themi se mendja njerëzore nuk mund ta përshkruajë Zotin në mënyrë të pavarur, pa e konsultuar Shpalljen. Njerëzit mund dhe duhet të përsiatin shenjat e Zotit, për të nxjerrë nga to ca të vërteta të pamohueshme për Krijuesin dhe cilësitë e Tij. Megjithatë, kjo duhet të bëhet duke qenë të vetëdijshëm se ndërmjet mendjeve të tyre dhe esencës së plotë të natyrës së Zotit është një “perde”. Inteligjenca këtu nënkupton të kuptuarit se inteligjenca e njeriut ka limite.

Bie fjala, përsiatja mbi gjerësinë dhe skicimin e mrekullueshëm të universit tonë na mundëson neve të kuptojmë Madhështinë e Atij që e solli atë në ekzistencë. Prandaj, Zoti i Madhëruar thotë: “Për ata të cilët e përmendin Allahun në këmbë, ulur e shtrirë, dhe mendojnë thellë për krijimin e qiejve dhe të tokës (duke thënë): “O Zoti ynë, Ti nuk e ke krijuar këtë më kot; qofsh lartësuar!” [Ali-Imran 3:191]. Megjithëkëtë, mendjet tona janë të kufizuara në atë se çka mund të dëshifrojnë prej këtyre shenjave, prandaj ne kot përçapemi të kuptojmë tërësisht diçka që është e mbyllur me dry të pathyeshëm.

Këto limite njerëzore janë arsyeja pse Kurani e mbajti të kufizuar diskutimin mbi Qenien e Zotit në tipare të caktuara hyjnore, – por të elaboruara tejet mirë, – për shkak të aftësisë së kufizuar të mendjes për ta kuptuar Hyjnoren. Marrë parasysh këto limite, është e pavend për një qenie njerëzore që shkarazi të vë në dyshim Urtësinë e Zotit në kërkesën e Tij për ta adhuruar.

2. Supozimi se Zoti ka cilësi njerëzore është premisë e gabuar

Nga vjen pyetja lidhur me “nevojen” e Zotit për t’u adhuruar? Pse të thënit adhurimi “i sjell dobi” Atij pasqyron motivin kryesor të atyre që e bëjnë këtë pyetje? Këto pyetje burojnë nga tendenca njerëzore për antropomorfizëm (krahasimi i qenieve jonjerëzore me njerëzit). Ky fenomen është mjaft i njohur në mesin e civilizimeve të ndryshme, të cilin adhuruesit e idhujve e kanë përqafuar me plot zemër. Ata që supozojnë se Zoti kërkon ta adhurojmë për shkak të ndonjë nevoje apo mangësie të Tij kanë përvetësuar mendësinë antike pagane, në të cilën zotat e tyre mitologjikë përngjajnë me të vdekshmit; ata kërkojnë për shkak të varësisë, i privojnë të tjerët nga xhelozia dhe nisin lufta në mes vete për të shtrirë dominim mbi kozmos. Filozofi i famshëm grek, Zenofani (475 p.e.s), tregon si njerëzit e kohës së tij i antropomorfizonin zotat e tyre: “Abisinianët (etiopianët) e përceptonin zotin e tyre me një hundë të sheshtë, tracianët i dhuronin zotit të tyre flokë të kuqe dhe sy të kaltër… Më e çuditshme është se këta zota merrnin pjesë në punë të neveritshme që bien ndesh me karakterin e ndershëm, siç janë vrasja dhe plaçkitja – të njëjtat i bënin edhe adhuruesit e tyre… Dhe po të kishin lopët, kuajt dhe luanët duar dhe do të mund të shkruanin, kuajt do t’i vizatonin zotat në formë të kalit, ndërsa lopët do t’i vizatonin në formë të lopës.” [3].

Problemi më i madh i antropomorfizmit është supozimi se Zoti mund të krahasohet me qeniet njerëzore në çdo aspekt. Një analogji kaq e tendosur mund të thuret në këtë mënyrë: punët dhe kërkesat e njerëzve lindin nga nevoja, andaj të gjitha punët dhe kërkesat rrjedhin nga nevoja, përfshirë punët dhe kërkesat e Zotit.

Ibn Tejmije (d. 1328) thotë: “Për këtë arsye, metoda e Kuranit – që është poashtu metoda e imamëve të mëdhenj dhe muslimanëve të hershëm – është shmangia e përdorimit të kijas shumul (silogjizmit kategorik), që krahason pjesë identike, dhe kijas temthil (analogjisë deduktive), në lidhje me Hyjnoren. Në vend të këtyre, ata kanë përdorur kijas eula (analogji më e arsyeshme) – sepse Allahut i përket përshkrimi më i lartë.” [4]. Me fjalë të tjera, Kurani dhe muslimanët e hershëm i kanë refuzuar interpretimet antropomorfike të Zotit, ngase këto interpretime i shpjegojnë cilësitë e Zotit nëpërmjet njeriut si prizëm. Përkundër, ata i kuptuan cilësitë e Zotit me anë të një analogjie më të madhe, që i bie: nëse qeniet njerëzore posedojnë një tipar të lavdërueshëm, të cilin Zoti poashtu e posedon, atëherë një formë më e lartë e atij tiparit kuptohet për Zotin, një që i shkon më për shtati Njëshmërisë dhe Përsosurisë së Tij. Për ta ilustruar: njerëzit posedojnë “jetën”, edhe Zoti poashtu ka jetë, por jeta e Zotit duhet të kuptohet ndryshe dhe më madhështore (p.sh. jeta e Tij nuk ka fillim e as mbarim). Në të njëjtën mënyrë, njerëzit posedojnë “dije”, edhe Zoti poashtu posedon dije, por dija e Zotit është e plotë. Andaj, sa herë që Zoti dhe njeriu ndajnë një tipar, nuk do të thotë që kanë njëjtësim, por vetëm ngjashmëri në emrat që e përshkruajnë atë tipar. Ashtu si këmba e një tavoline nuk është këmba e një qeni dhe “syri” i një stuhie nuk është syri i një njeriu, ashtu tiparet e njerëzve janë kopje të dobëta të tipareve më madhore dhe të përkryera të Zotit.

Prandaj, kush mendon se Zoti kërkon të adhurohet që të plotësojë ndonjë nevojë apo që të kompensojë ndonjë mangësi, në thelb, po e antropomorfizon Atë. Njerëzit e tillë mendojnë se të gjitha kërkesat lindin nga dëshira për të plotësuar një zbrazëtirë, ngase jeta e tyre apo përvoja me njerëz lënë të kuptohet se kjo është arsyeja pse njerëzit kërkojnë gjëra. Prandaj, përfshirja e Zotit në këtë motiv kur ne nuk e kuptojmë tërësisht natyrën e Tij është qartësisht e gabuar, veçanërisht kur ajo që e kuptojmë nga natyra e Tij – nëpërmjet arsyes dhe Shpalljes – dëshmon se Ai nuk ka nevoja.

3. Jo çdo kërkesë rrjedh nga nevoja e kërkuesit

Edhe në mesin e njerëzve, të gjitha kërkesat nuk komunikojnë nevojë. Mendoje një mjek që i kërkon pacientit ta hapë gojën me qëllim që t’i ndihmojë. Ky mjek do të donte që pacienti ta respektojë kërkesën e tij, jo për përfitime personale, por se respektimi në këtë rast i sjell përfitim pacientit. Ngjashëm, kërkesa e Allahut për adhurim të çon te përfitimet që adhurimi u sjell njerëzve. Apo mendoje një njeri të kamur, që i kërkon një lypësi ta shtrijë dorën dhe që i pëlqen kur e dëgjon, që më pas t’i dhurojë lëmoshë. Këto, pra, janë analogji më të mira për kërkesën e Zotit për t’u adhuruar; dëshira e Tij për t’u adhuruar dhe për t’iu bindur nuk lënë të nënkuptojnë nevojën e Tij për të. As kërkesat – edhe te njerëzit – nuk asociojnë gjithmonë me ndonjë dëshirë për më shumë, apo diç të ngjashme.

Vërtet, disa kërkesa mund të jena vepra të pastërta të mëshirës nga ana e kërkuesit, i cili dëshiron për të tjerët t’i realizojnë kërkesat e tyre dhe t’i arrijnë synimet e tyre. Kurse kërkesat e tjera i shërbejnë qëllimit të mësimit dhe formimit. Këta shembuj dhe shumë të tjerë vërtetojnë se të kërkuarit e diçkaje nuk sygjeron ndonjë nevojë për atë gjë; kërkesat përdoren për qëllime të ndryshme komunikative, shumë prej të cilave nuk përfshijnë ndonjë nevojë nga ana e kërkuesit. Sa i përket Allahut, esenca e përkryer dhe cilësitë e përkryera i përkasin Atij. Atij nuk i shtohet gjë nga adhurimi i njerëzve; në fakt, mundësia për ta adhuruar Atë dhe për të bërë vepra të mira janë dhurata nga Zoti për njerëzit – marrë parasysh faktin se Ai na begatoi me mundësinë për të bërë punë të mira. Allahu i Lartëmadhëruar ka thënë: “E tij është gjithçka që është në qiej dhe në tokë dhe Atij i përket adhurimi përherë. A t’i frikësoheni tjetërkujt përveç Allahut? Çdo dhunti që keni është nga Allahu. E, kur t’ju godet ndonjë fatkeqësi, prapë prej Tij – me zë kërkoni ndihmë.” [En-Nahl 16:52-53].

Adresimi i pyetjes

Pas demonstrimit të premisave të gabuara prapa pyetjes në fjalë, tani vazhdojmë të vërtetojmë përse adhurimi i Zotit është i domosdoshëm dhe i dobishëm.

1. Vetëm Zoti është meritor për ibadet (adhurim)

Meqë shumë njerëz e mendojnë adhurimin si një grumbull të ritualeve mekanike të gjymtyrëve, ne fillimisht duhet ta kuptojmë saktë termin kuranor ibadet (në shqip përkthehet si adhurim). Gjuhëtari erudit Er-Ragib El-Esfahani (d. 1108) tregon se ibadeti paraqet epitomën e përulësisë dhe thyerjes.[5] Ibn El-Kajim (d. 1350), ekspert në teologji, shpjegon se te’abud (angazhimi me ibadet) është niveli më i lartë i dashurisë, ku njeriu bëhet i pafuqishëm përballë të dashurit të tij.[6] Në një vend tjetër, Ibn El-Kajim sqaron: “Ubudijeh (robëria e plotë) është efekt anësor i dashurisë së plotë, ndërsa dashuria e plotë është efekt anësor i perfeksionit të ndierë nga i dashuri. Sa i përket Allahut të Lavdëruar, Ai posedon një perfeksion të tillë, që edhe imagjinimi se Ai ka ndonjë të metë është i pamundshëm. Andaj, kush e gjen veten në ubudijeh, zemra e tij nuk njeh diç më të dashur se Ai, përderisa natyra dhe mendja e tij mbesin të shëndosha. Dhe nëse kjo dashuri është më e shtrenjta për të, atëherë dashuria për Të patjetër që kërkon shërbim ndaj Tij, nënshtrim, ndjekje të kënaqësisë së Tij dhe sosje të çdo mundi për ta adhuruar Atë dhe për të kërkuar afrim tek Ai. Ky stimul është shtysa më e fortë që si rezultat ka

ubudije-n. Edhe nëse kjo ndjenjë nuk do të ishte e shoqëruar nga obligimet, ndalesat, shpërblimet dhe dënimet, njeriu prapë do të orvatej për Të dhe do t’ia dedikonte zemrën Atij që është meritor për ibadet.”[7]

Prandaj, ibadeti përfshin një gjendje, që manifestohet me dorëzim të zemrës dhe të gjymtyrëve. Atë e mbajnë dy shtylla: dashuria absolute dhe përulësia absolute. Këto burojnë nga a) të kuptuarit e përsosurisë së cilësive të Zotit dhe njohja e begative të Zotit (që prodhojnë dashuri) dhe b) të qenit të vetëdijshëm për të metat tona në krahasim me Atë i cili s’ka asnjë të metë (që prodhon përulësi). Dikush mund të thotë se ibadeti është fenomen që bëhet i nevojshëm nga vëzhgimi i natyrës së dyfishtë të ekzistencës: Krijues dhe krijesë, Dhurues dhe i dhuruar, Begatues dhe i begatuar. Ibadeti nuk është detyrë e rëndë, as punë që rezulton në rrogë, por më saktë dhuratë e hirshme që arrihet me depërtim shpirtëror dhe përpjekje të sinqertë. Njeriu sa më i ditur bëhet për madhështinë e Zotit dhe begatitë e Tij të panumërta, aq më shumë ai ose ajo pajtohet me nevojen për ibadet. Ibadeti pasqyron një deklaratë të dashurisë për Zotin, se “adhurimi” i Zotit që nuk buron nga dashuria për Të nuk është ibadet! Andaj, njeriu sa më shumë ngjitet në shkallët e dashurisë, aq më rehat do të ndihet në kopshtet e shërbimit.

Në kaptinën hapëse të Kuranit (El-Fatiha), është shumë domethënës verseti “Vetëm Ty të adhurojmë!”, të cilin Zoti e vuri pas verseteve që e lavdërojnë dhe e lartësojnë Atë. Kjo fjali shpërfaq atë se si robëria është një degë e njohjes, prandaj muslimani e adhuron Zotin nga brenda dhe nga jashtë. Motivimi i jashtëm është urdhër i zbritur nga Zoti, që i obligon njerëzit të kryejnë rite të adhurimit, ndërsa motivimi i brendshëm rrjedh nga kuptimi i Përsosurisë së Zotit, papërsosurisë së njerëzve dhe nga kuptimi i Bujarisë së Tij. Për këtë arsye, e shohim të dërguarin e Zotit ﷺ duke u falur natën (koha më e mirë për të arritur devotshmëri) e duke thënë në sexhde (pozita më e mirë për të shprehur dorëzim dhe nënshtrim): “Unë nuk mund të të madhëroj aq sa meriton Ti; Ti je i Madhëruar ashtu siç e ke përshkruar Vetveten.”[8]. Edhe engjujt, që zënë çdo pëllëmbë të qiejve e të tokës dhe që ndodhen në pozita të tilla, në sexhde e nënshtrim, do të thonë në Ditën e Ringjalljes: “Qofsh i Lartësuar; Ne nuk të kemi adhuruar ashtu siç Ti e meriton.”[9] Këto krijesa fisnike të krijuara nga drita, që ia dorëzojnë jetën Zotit pa asnjë reagim, në nënshtrim të përhershëm, e dinë se Madhëria e Tij kurrë nuk mund të kuptohet ashtu si duhet nga qeniet e krijuara.

Allahu ka qenë meritor për adhurim edhe para se Ai të krijonte. Po edhe nëse Ai s’do të na kishte krijuar fare, vetë natyra e Tij sublime i jep Atij të drejtën të jetë adresa e devotshmërisë së zemrës sonë. Edhe të mos kishim pranuar gjë prej Tij, prapë Ai do ta meritonte këtë. E çka të themi për rrebeshin e begative që na vjen nga Ai çast e më çast? Respektimi i Tij është i domosdoshëm, ngaqë e gjithë kjo botë dhe tjetra janë të Tijat, dhe se Atij i përket gjykimi në Ditën e Fundit, ku do t’i shpërblejë të devotshmit pa masë. Allahu thotë: “Falënderimi i takon Allahut, e të Cilit është gjithë ç’ka në qiej e në tokë, dhe i tërë falënderimi i takon Atij në botën tjetër. Ai është i Urti, i Përsosuri në njohuri.” [Saba 34:1]. Respektimi i Zotit poashtu është i domosdoshëm, meqë secili atom në këtë univers mahnitës drejtohet kah Ai. “Allahu është Ai, që ka krijuar shtatë qiej dhe aq pjesë të tokës; në to zbatohen urdhërat e Tij, për ta ditur ju se Allahu është i Plotëfuqishëm dhe se, me të vërtetë, dijenia e Allahut i ka përfshirë të gjitha!” [Et-Talak 65:12].

Në çdo ditë të jetës sonë, ne detyrohemi t’i njohim arritjet e jashtëzakonshme të njerëzve. Si, atëherë, mund të mos njohim veprat e pashembullta të Krijuesit, e sidomos faktin që Ai na ka pajisur me fitra (natyrshmëri të pastër), prej të cilave gjithçka e pëlqyeshme vjen nga to? Njerëzit që thonë se ata të vetëm qenë meritorë për arritjet e tyre i shohim si mendjemëdhenj të krekosur. A nuk duhet ky mendim të forcohet shumëfish për ata që refuzojnë ta falenderojnë Zotin, Atë që i gëlon ata në begati për të cilat janë apo s’janë në dijeni, dhe u vë në dispozicion mjete të panumërta të rehatisë dhe kënaqësisë?

2. Zoti është tejmase Bujar

Allahu gëzohet kur robërit e Tij ia kushtojnë jetën Atij me adhurim e nënshtrim, vetëm pse ky adhurim u sjell atyre dobi. Siç ka thënë pejgamberi ﷺ, më shumë gëzohet Allahu kur një rob pendohet, sesa një i humbur në shkretëtirë kur i vjen një mundësi e re për jetë, edhe pse vdekja e tij ka qenë siguri e pashmangshme.[10] Atëherë, nëse për Zotin kjo nuk sjell as dëm e as dobi, çka e shtyn Zotin të kërkojë këtë nga ne? Zoti Vetë i përgjigjet kësaj pyetjeje duke thënë: “Përse t’ju ndëshkoj Allahu ju, nëse e falenderoni dhe e besoni? Allahu është shumë i dijshëm dhe mirënjohës.” [En-Nisa 4:147]. Se Allahu është esh-Shekur, Mirënjohësi që dhuron pafund dhe e vlerëson edhe mundin më të vogël. Se Allahu është er-Rahman, i Gjithëmëshirshmi, që është më i dashur dhe më i kujdesshëm për robërit e Tij sesa nëna për fëmijën e saj të posalindur. Se Allahu është el-Kerim, Bujari, i Cili e do dhurimin dhe faljen edhe për ata që e kalojnë një jetë të tërë duke shfrytëzuar e duke harruar. Ai ka qejf t’i shohë robërit e Tij të përparojnë, prandaj Ai do t’i shohë ata duke e adhuruar Atë, që ta arrijnë atë përparim. Nënpikat tjera shpjegojnë si adhurimi rezulton në mbarësinë e njeriut në disa mënyra.

Ibadeti kërkohet për të arritur paqe shpirtërore dhe njohje të vetes

Adhurimi u dhuron njerëzve paqe të brendshme dhe kënaqësi duke u lidhur drejtpërdrejt me Madhështorin. Kjo lidhje devocionale i jep shpirtit afërsi me Të dhe paqe e plotësim, të cilat s’mund t’i japë asgjë tjetër. Kjo afërsi arrihet o me përmendje të vetëdijshme (dhikr), o me akte fizike që ky vetëdijësim nxit. Prandaj, adhurimi i Zotit përfshin një rikthim të njeriut nëpërmjet shpirtërores, jep qartësi që i dhuron jetës kuptim dhe ofron shpëtim prej lëngatës ekzistenciale.

Brenda çdo njeriu gjendet një dëshirë e zjarrtë, e përhershme për plotësim shpirtëror. Pa të, shpirti ballafaqohet me zbrazëtirë armiqësore, e cila përcillet me halucinacione të mundimshe nga një mirazh në tjetrin, ku secila jep shpresë të momentit për oazë, para se të zhgënjejë prapë. Kjo është tragjedia e përvojës së njeriut kur të kërkojë paqe të brendshme nga bota e jashtme, apo kur të kërkojë qetësi nëpërmjet materializmit. Realiteti është se ne jemi qenie shpirtërore që jetojmë në trupa fizikë, jo trupa fizikë që kanë përbërës shpirtëror, as qenie që janë njësoj fizike e shpirtërore. Zoti i fton njerëzit ta adhurojnë dhe t’i nënshtrohen Atij, me qëllim që njerëzit ta zbulojnë dhe ta trajtojnë natyrën tonë të dyfishtë në mënyrë të duhur. Sikur trupat tanë, që kanë nevojë për ushqim për të jetuar, njashtu shpirtat kanë nevojë edhe më të madhe për ibadet, për të mbijetuar dhe për të përparuar. Kur ky ibadet mungon te njeriu, ai jo vetëm që është i zbrazët, ai, para së gjithash, nuk është duke jetuar. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Shembulli i atij që e përmend Zotin e tij dhe i atij që nuk e përmend Zotin e tij është si shembulli mes të gjallit dhe të vdekurit.” [11] Nuk është për t’u habitur me faktin që shoqëritë moderne po ballafaqohen me një rritje të frikshme të numrit të vetëvrasjeve, ku një turmë e madhe e konsideron jetën të pavlerë. Sondazhet e Gallup-it vazhdimisht kanë vërtetuar se shtetet me fetari më të vogël kanë numër më të madh të vetëvrasjeve[12]; studimet kanë konfirmuar se “feja luan rol mbrojtës kundër vetëvrasjes në shumicën e vendeve ku hulumtimi është bërë.” [13]. Pa adhurim autentik të Zotit, njerëzit janë të pllakosur nga sëmundje emocionale, që i ngulfasin ata dhe të tjerët përreth. Allahu i Lartësuar thotë: “Por kush i kthen shpinën udhëzimit (Librit) tim, ai do të çojë jetë të rëndë.” [TaHa 20:124]. Njësoj siç është oksigjeni i domosdoshëm për njeriun që të marrë frymë, ashtu dashuria për Zotin dhe përmendja e Tij janë të domosdoshme për shpirtin të frymojë. Ata që e kapin këtë dhe lidhen me Krijuesin e tyre në adhurim ngjiten në një mal shpirtëror unik, ku ajri, në veçanti, është gjallërues, ku tragjedia nuk shpie në dëshpërim, ku lidhjet shoqërore nuk janë të paralizuara dhe ku joshjet nuk kanë gjasa të bëjnë kompromis me moralin e fortifikuar.

Adhurimi në Islam, rrjedhimisht, përfaqëson hartën definitive të të bërit realitet ekselencën njerëzore, duke filluar nga brenda, nga shpirti, e duke vazhduar në aspektin e jashtëm, në karakter fisnik. Pa adhurim, njerëzit gjithmonë janë pre e sëmundjeve psikoshpirtërore dhe mosfunksionimit të duhur të sjelljeve. Për këtë arsye, përkundër si shumica e njerëzve i përceptojnë ritet e adhurimit, Kurani dëshmon se prej funksioneve me kuptime të thella të namazeve ditore është largimi nga e keqja dhe imoraliteti [29:45] – sikur që riti i agjërimit kultivon ndershmëri [2:183] dhe sikur që dhënia e lëmoshës shërben për ta pastruar njeriun nga lakmia dhe fitimet joetike [9:103].

Ibn Rexheb [d. 1393], teologu i madh hanbelit, ka thënë: “Shpirti nuk ka mirëqenie përderisa në të nuk zë vend njohja e Zotit dhe Madhështisë së Tij, dashuria për Të, droja ndaj Tij, shpresa në Të, mbështetja në Të, derisa ai të mbushet me të tëra këto. Kjo është e vërteta e monoteizmit dhe kuptimi i vërtetë i La Ilahe Il-la Allah (askush nuk është meritor për adhurim përveç Allahut). Nuk ka asgjë të shëndoshë për shpirtin derisa zotin që adhuron, e njeh, e do dhe i frikësohet është vetëm Allahu, pa ndonjë ortak… Siç ka thënë Allahu: “Sikur të kishte në to (qiej dhe Tokë) ndonjë tjetër zot, përveç Allahut, të dy do të shkatërroheshin. Pra, qoftë i pastër Allahu, Zot i gjithësisë, nga ato që ia përshkruajnë Atij!” [El-Enbija’ 21:22]. Kjo i bie se nuk ka mbarëvajtje as për botën lart, as për poshtë, nëse veprat e banorëve të saj nuk janë tërësisht për Allahun. Aktiviteti i trupit ndjek aktivitetin dhe vullnetin e zemrës. Andaj, zemra mund të bëhet e shëndoshë vetëm atëherë kur aktiviteti dhe vullneti i saj bëhen veç për Allahun. Por, kur aktiviteti dhe vullneti i zemrës janë për dikë tjetër veç Allahut, atëherë ajo prishet dhe gjymtyrët e pasojnë në prishje, aq sa prishet aktiviteti i zemrës.”[14].

Ibadeti të çliron

Qeniet njerëzore janë të krijuara për të investuar jetët e tyre në shërbim të një qëllimi. Të qenit njeri me qëllim është tipar i pashmangshëm i funksionalitetit tonë, sepse kjo ndodhet në natyrshmërinë tonë – quaje këtë ADN-ja jonë metafizike. Sidoqoftë, qëllimi të cilit i shërbejmë mund të jetë Zoti, ose mund të jenë dëshirat epsharake, egoja apo presionet shoqërore. Shërbimi ndaj Zotit të Vërtetë na mbron ne nga kaosi psikoshpirtëror – nga të shqyerit duke provuar që t’i shërbejmë forcave kundërshtuese në jetë njëherazi. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu sjell si shembull njeriun rreth të cilit zihen bashkëpronarë dhe njeriun i cili është nën sundim të vetëm një njeriu – a janë këta njëlloj? Lavdërimi është për Allahun, por shumica sish nuk e dinë.” [Ez-Zumer 39:29]. Prej këtij këndvështrimi, adhurimi dhe shërbimi ndaj Zotit e çlirojnë njerëzimin nga të qenit nën kontroll dhe të prangosur nga ndjekjet e ulta.

Kur njerëzit ia përkushtojnë jetën Krijuesit të tyre, ata ndihen të fuqizuar duke adhuruar të Vetmin që meriton adhurim. Dorëzimi i zemrës dhe gjymtyrëve ndaj Zotit të Vërtetë paraqet kulmin e nderit, ndërsa dorëzimi ndaj krijesave të pafuqishme, të pamëshirshme është poshtërues. Përqafimi i një stili të jetesës të të qenit rob i Zotit është, prandaj, forma më e vërtetë e çlirimit, sepse fundja kjo i shërben nevojave dhe kërkesave më të mëdha të njeriut; se po t’ia lejojë ai vetes t’i bëhet rob i ndonjë gjëje tjetër, ai vullnetarisht e mbyll veten në një birucë. Për këtë çështje, pejgamberi ﷺ ka thënë: “I mjerë është robi i arit, rrobave të bukura dhe stolive. Nëse i jepet, gëzohet; e nëse nuk i jepet, ai është i pakënaqur.”[15]. Kjo është pse para se të burgosej dhe para se eventualisht të vdiste brenda, Ibn Tejmije tha: “I burgosur është ai zemra e të cilit është e privuar nga Zoti i saj, dhe rob është ai i cili është i robëruar nga epshet e tij.” [16].

Në mesin e të privilegjuarve në shoqëri, nuk është e vështirë të vërehet sa më të trishtuar janë robërit e pasurisë dhe famës krahasuar me ata që kanë jetesë relativisht më të thjeshtë. Hulumtimet tregojnë se popujt hedonistë, që e përceptojnë jetën gjoja ajo ka pak e hiç kuptim dhe që i ndjekin kënaqësitë epsharake – pavarësisht a i arrijnë ato – kanë shumë gjasa t’u japin fund jetëve të tyre. Ky grup vuan nga një dilemë që të vie keq ta dëgjosh: edhe pse kanë qasje në gjithçka që paraja mund të blejë, ata s’janë as të lumtur me pasurinë e tyre, as s’mund të heqin dorë nga ajo. Pse kështu? Thënë thjesht, kjo ndodh se ata besojnë që lumturia e tyre varet nga këto të mira materiale. Kurse besimtarët e Zotit i shërbejnë vetëm Zotit të Plotfuqishëm; ata kënaqen me botën materiale brenda kufijve, por nuk robërohen nga to.

Ibadeti siguron themel të qëndrueshëm të moralit

Njerëzit duhet ta kujtojnë se ata janë krijuar për t’i shërbyer një qëllimi shumë të veçantë dhe se Zoti qëllimisht i ka vendosur ata në tokë. Pa këtë përceptim të drejtë, debatet ashpërsohen pa konsensus në çështje kyçe. Në aspektin e motivimit moral, shumë njerëz sillen mirë për të rënë në sy të të tjerëve, apo për ndjenjën e mirë që jep lirimi i endorfinit, dhe të njëjtit mund të mos sillen më mirë sapo këta nxitës mungojnë. Por kur njeriu e sheh veten si subjekt të Zotit (rob), dhe e kupton se rregullat morale vijnë nga Ai dhe se i vetmi përceptim që vlen është i Tij, atëherë morali i këtij njeriu do të jetë parimor dhe i qëndrueshëm. Mungesa e këtij kuptimi mund të shpierë në ndjenja që bien ndesh njëra me tjetrën e që janë kryesisht të huaja për muslimanët praktikantë, ngase imazhi i tyre si një rob në mbretërinë e Zotit mbetet i ndezur nga ibadeti i rregullt i tyre.

Pejgamberi ﷺ, në sfera të ndryshme të jetës së tij, ka shfaqur ndërgjegjësim të vazhdueshëm të realitetit të tij si një rob para Zotit. Për shembull, ai ﷺ çdo mëngjes dhe mbrëmje thoshte: “O Allah, Ti je Zoti im, nuk ka hyjni që meriton të adhurohet përveç Teje; Ti më ke krijuar dhe unë jam robi Yt, do të qëndroj besnik ndaj marrëveshjes dhe premtimit Tënd aq sa të kem mundësi; Kërkoj mbrojtjen Tënde nga e keqja që kam vepruar. Unë jam mirënjohës ndaj dhuntive Tua, i pranoj mëkatet e mia, andaj më fal, ngase mëkatet nuk i fal askush tjetër përveç Teje.” [17]

Busulla e moralit të njeriut e informon atë për vlerat dhe përgjegjësitë e tij, ndërkaq ibadeti pasqyron argumentimin ontologjik të këtyre vlerave nëpërmjet lidhjes me Zotin. Njeriu i kalon vështirësitë e jetës duke u afruar te Zoti me anë të kualiteteve të mishëruara, që reflektojnë emrat dhe cilësitë e Tij si dhembshuria, mirësia, dashuria dhe fisnikëria. Kjo është pse sa herë që njerëzit bëjnë ndonjë vepër të mirë, ta zëmë e ndihmojnë nevojtarin apo e mbrojnë të dobëtin, pa e synuar këtë afërsi me Zotin, e injorojnë vetë bazën e këtyre virtyteve. Veç kësaj, njeriu ka përgjegjësi të madhe morale ndaj Atij që i dhuroi jetën dhe që e vërshoi njerëzimin me begati që nuk mund të blihen me para. Në vend se ta pranojnë këtë detyrë thelbësore morale, njerëzit e tillë i shfrytëzojnë frytet e kësaj bote pa i ngritur duart për ta falenderuar, duke tentuar të bëjnë jetë të moralshme gjersa lënë anash përgjegjësinë morale të tyre ndaj Zotit. Kjo është sikur të shëtitësh në një pallat të një njeriu me fuqi dhe pasuri të madhe – edhe pse Allahut i përket shembulli më i lartë – dhe hallavitet në karrigën e tij shumë luksoze, fle në shtratin e tij të shtrenjtë (megjithatë kujdeset t’i mbajë në rregull dhe pastër). Sapo pronari të kthehet dhe të shtanget nga futja pa leje e këtij njeriu dhe nga shfrytëzimi i këtyre lukseve pa leje, furacaku i thotë: “S’kam prishur kurrëgjë. Madje i kam mbajtur të pastërta!” Ai as nuk e pranon virtytin fisnik të pronarit, as autoritetin e tij mbi pallatin e tij gjigant. Ky është pikërisht qëndrimi i atyre që bëjnë vepra të mira në këtë botë pa e njohur dhe pranuar bazën e këtyre virtyteve apo autoritetin e pronarit të saj.

Ibadeti, mes të tjerash, i kualifikon moralmirët për shpërblim nga Zoti. Kushtet bazike për të qenë njeriu i mirë janë: të ekzistojë, të ketë vullnet të mirë dhe të ketë aftësi mendore e fizike (që nevojiten për të bërë mirë: gjymtyrët, pasuria etj.). Meqë të gjitha këto i dhuron Zoti, refuzimi për ta njohur Atë me anë të adhurimit është, në esencë, mirësi plagjiate. As Zoti e as njerëzit nuk i konsiderojnë veprat plagjiate – pa marrë parasysh sa të mira janë – të kualifikuara për t’u shpërblyer. Por kur ibadeti ekziston, shpërblimet për të kaluarën dhe lutja për të ardhmen mund të kërkohen. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Robi është më së afërti me Zotin e tij gjatë sexhdes, andaj shpeshtojini lutjet (aty)!”.[18] Vendosja e fytyrës në tokë është vepër e ibadetit dhe manifestim i përulësisë maksimale ndaj Zotit, prandaj lutjet në atë pozicion kanë potencial të madh. Ata që nga mendjemadhësia nuk e adhurojnë Zotin po e refuzojnë ftesën e Tij, prandaj Zoti thotë: “Zoti juaj, ka thënë: “Më thirrni Mua (më adhuroni), Unë do t’ju përgjigjem (shpërblej)! Me të vërtetë, ata që nga mendjemadhësia nuk duan të Më adhurojnë – do të hyjnë të poshtëruar në skëterrë.” [Gafir 40:60].

Ibadeti freskon besimin

Ibadeti ritual në Islam e lidh zemrën me Zotin e saj përgjithmonë. Kurani thërret në përmendjen e Zotit para çdo agimi a perëndimi të diellit, apo në ndarje të një pjeseje të natës për dialog intim me Të. Ai e thërret muslimanin që ta përmendë Zotin nëpërmjet pesë namazeve ditore, nëpërmjet abdesit (ritualit të pastrimit) dhe lutjeve që iu paraprijnë këtyre namazeve, nëpërmjet një muaji vjetor të agjërimit, nëpërmjet një leximi të herëpashershëm të tërë Kuranit etj.. Ky cikël i mrekullueshëm i mban zemrat në një ritëm me realitetin e krijimit, duke përsiatur vazhdimisht mbi lidhjen rrënjësore me Krijuesin e tyre.

Zemra në esencë është jostabile, e prirur për të harruar apo për t’u joshur nga shkujdesja apo shqetësimi; ibadeti shërben për ta mbajtur zemrën të rafinuar e të ndriçuar. Kur dikush zgjohet nga shkujdesi letargjik, e përkujton Zotin; falja e namazit të sabahut (agimit) e fortifikon psikikën shpirtërore në përgatitje për një ditë të re. Shqiptimi i përmendjes së Zotit kur të dalim prej shtëpisë e imunizon njeriun kundër vështirësive gjatë ballafaqimit me botën materiale. Falja e namazit të duhasë (paraditës) e mbush me vaj llambën që ka filluar të dobësohet. Në mesditë, në kohën kur preokupimet e shpirtit me çështjet e kësaj bote gati sa nuk e konsumojnë atë, falja e namazit të drekës e kthen atë në shkëlqimin origjinal. Atëherë kur shkujdesja fillon të ngacmojë përsëri, falja e namazit të ikindisë (pasditës) nxit në zemër dëshirën e mëhershme për Zotin e saj. Në perendim të diellit, njeriu gjen strehim në faljen e namazit të akshamit (perendimit të diellit), që e qetëson shpirtin e tij të lodhur e të paqetë. Para se të flejë, muslimani e fal jacinë (namazin e natës), duke e mbyllur ditën me konsistencë. Kështu edhe ibadeti minimal ndjell reflektim dhe ia freskon njeriut besimin, duke e pastruar atë nga çfarëdo njolle dhe duke e mbajtur zemrën gjallë dhe të qëndrueshme. Pa të, njerëzit janë objekt i ndjenjes rrënuese të vetmisë, apo ftohjes nga raportet që ndiejnë nga familja dhe miqtë. Ibadeti i garanton njeriut autonomi dhe të drejtë për të qenë më shumë se thjesht një hallkë në ciklin e pamëshirshëm jetësor, dhe ia ripërtërin jetën në shoqëri të Mbretit të Kozmosit.

Ibadeti i harmonizon njerëzit me universin

I gjithë universi përulet, që do të thotë se i nënshtrohet vullnetit të Zotit në çdo moment. Allahu thotë: “Të Atij janë krejt ç’ka në qiej dhe në tokë. Atij i përulet çdo gjë.” [Er-Rum 30:26]. Zoti i Lartëmadhëruar na informon më tutje se ky univers që bindet është krijuar për t’i shërbyer njeriut. Prandaj, tërë ato që ekzistojnë përreth nesh i nënshtrohen qenies njerëzore, jo pse njeriu e meriton, por që të bëjnë ibadet, për të kompletuar rreshtimin universal, që fillon nga atomi më i vogël deri te galaksia më e madhe. Allahu thotë: “Ti drejtohu me përkushtim kah feja e vërtetë, kah krijimtaria e Allahut, sipas së cilës Ai ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim në krijimtarinë e Allahut, sepse kjo është fe e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” [Er-Rum 30:30]. Pajtimi vullnetar i njeriut me Vullnetin e Zotit pasqyron pajtimin jovullnetar të universit me Vullnetin e Zotit, dhe kjo harmoni i sjell dobi njerëzimit me sinergjinë dhe stabilitetin e saj – këtë e shfaqën më së miri gjeneratat e para të muslimanëve.

3. Zoti ka qejf t’i dëgjojë robërit e Tij dhe të bisedojë me ta

Adhurimi, nga disa skeptikë të fesë, shihet si një bisedim i njëanshëm. Kurani, sidoqoftë, na tregon se esenca e riteve të adhurimit është dialogu intim mes robit dhe Zotit të tij, dhe se Zoti i Plotfuqishëm iu përgjigjet këtyre veprave që kërkojnë afërsi me Të, duke derdhur mbi ta mëshirë dhe dashuri. Pejgamberi ﷺ e ka përshkruar këtë lidhje të dyanshme, duke shpjeguar se Zoti i përgjigjet çdo verseti të kaptinës El-Fatiha[19], të shqiptuar disa herë në secilin prej namazeve ditore. Sa herë që muslimani/ja falet me zemër vigjilente, ai/ajo e gjen një Zot që e dëgjon me vëmendje dhe që i përgjigjet me dhurata që vetëm thesaret e pashterura të Bujarit më të madh mund të japin.

Jashtë namazit, muslimani është i ftuar të lidhet me Zotin dhe ta përjetojë Afërsinë e Tij në çdo çast, pasi i Gjithëmëshirshmi ka thënë: “Unë jam tek mendimi i robit për Mua, dhe jam me të kur më përmend, andaj nëse më përmend Mua në veten e tij, e përmend atë në Veten Time; nëse më përmend në një turmë, do ta përmend atë në një turmë më të mirë; nëse më afrohet një pëllëmbë, do t’i afrohem një kut; nëse më afrohet një kut, do t’i afrohem një krah, e nëse më vjen duke ecur, do t’i shkoj duke vrapuar.” [20]

Këto tekste dhe të tjera të ngjashme theksojnë se këto nuk vijnë nga një zot i ftohtë e armiqësor, që pëlqen dominim mizor, as nga një zot që nuk e shpërblen adhurimin, porse vijnë nga Krijuesi Suprem, që s’ka nevoja, që thjesht do të lidhet me robërit e Tij më shumë se që ata duan të lidhen me Të, dhe kërkon afërsi me ta më shumë se që ata kërkojnë afërsi me Të, dhe nxiton drejt tyre më shpejt se që ata nxitojnë drejt Tij.

4. Ibadeti është pyetja e përkryer e provimit

Allahu i Madhëruar ka thënë: “E, sikur të kishte dashur Zoti yt, të gjithë njerëzit do t’i bënte njerëz të një feje. Por, ata edhe më tej janë në kundërshtim mendimesh, përveç atyre që i ka mëshiruar Zoti yt.” [Hud 11:118-119].

Allahu i Plotfuqishëm i ka krijuar qeniet njerëzore për t’iu përkushtuar Atij, duke zbritur shpallje e duke dërguar lajmëtarë për këtë objektiv. Sidoqoftë, Ai i ka krijuar ata me prirje të ndryshme, si dhe me një shkallë të lartë të vullnetit të lirë; me anë të vullnetit të lirë, të devotshmit lartësohen kurse të dobëtit rrëzohen. Brenda kësaj autonomie të dhënë nga Zoti, njëri grup angazhohet në adhurim, që i shpie në shpëtim, ndërkaq grupi tjetër e refuzon adhurimin, që i shpie në fatkeqësi. Siç ka thënë Ez-Zemahshari (d. 1143): “Allahu ia ka mundësuar njerëzve “të zgjedhin – e ky është kriteri bazë i nevojshëm për llogaridhënie. Për këtë arsye, Allahu ka thënë: “Por, ata edhe më tej janë në kundërshtim mendimesh, përveç atyre që i ka mëshiruar Zoti yt.”, që i bie përveç atyre që Allahu i ka nderuar me udhëzim, andaj ata u pajtuan me fenë e vërtetë, të cilën nuk e ndërruan. [Allahu pastaj thotë] “për këtë arsye Ai i krijoi ata…”, që Ai t’i shpërblejë ata që zgjedhin të vërtetën, se njëmend bënë zgjedhje të mirë, dhe t’i dënojë ata që zgjedhin të pavërtetën, se njëmend bënë zgjedhje të gabuar.” [21]

Sidoqoftë, është e qartë se në Kuran Zoti dëshiron mëshirë për krijesat e Tij, e jo dënim. Allahu thotë: “Edhe Themudin e drejtuam në rrugë të drejtë, por ata e deshtën më shumë verbërinë” [Fusilet 41:17]. Me reflektim mbi mjetet e shumta dhe të ndryshme që shpiejnë në falje në Islam, është e qartë se Zoti dëshiron të shtrijë bujari mbi robërit e Tij edhe për mundin më të vogël, dhe pranon gati çfarëdo arsyetimi për t’i falur. Pejgamberi ﷺ na tregon se të thënit “subhanAllahi ue bihamdih” njëqind herë në ditë ia fal njeriut gjynahet edhe po të jenë ato sa shkuma e oqeanit[22], dhe duke thënë “subhanAllah” njëqind herë, njeriu i fiton njëmijë sevape[23]. Si, atëherë, mund të ketë dikush mendim negativ për Zotin, duke e ditur se çdo çast në ibadet, edhe një reflektim kalimtar apo një pëshpëritje e harruar, do të shpërblehet përjetësisht në Xhenet? Ky është një përkujtim i fuqishëm i Bujarisë dhe Mirësisë së pafundme të Zotit.

Ibadeti është standarti me të cilin virtytet e njerëzve testohen. Testimi kërkon një shkallë të sprovimit për t’i filtruar ata që testohen, ndërkaq ibadeti shpeshherë kërkon rezistim ndaj prirjes së natyrshme për relaks dhe lehtësim. Prandaj, Allahu thotë: “Ai është Zot i qiejve dhe i tokës dhe i asaj çka është ndërmjet tyre, prandaj, vetëm Atë adhuro dhe vazhdo me këtë! A e di, a ka ndokush emrin e Tij!” [Merjem 19:65]. Duhet përmendur këtu se shmangia e “vështirësive” mund të jetë çorientuese. Me orvatje të vazhdueshme në adhurim, Ibn El-Kajim thotë: “…dera e ëmbëlsisë së adhurimit hapet për njeriun, saqë ai nuk mund të ngopet prej tij; ai më shumë gjen kënaqësi dhe rehati në këtë, sesa në kënaqësitë shpërqendruese të lojës dhe ndjekjeve të epsheve.” [24]. Meqë Zoti dëshiron për njerëzit ngjitje më të lehtë dhe kompensime më të ëmbla, Ai u kërkoi atyre ta adhurojnë Atë.

Nuk ekziston asnjë metodë vlerësimi që mund të krahasohet me ibadetin. Së pari, ibadeti përmban një sistem të natyrshëm të shpërblimit: njohja e Zotit shpie në adhurim. Adhurimi shpie në robëri të vullnetshme, që më pas e rrit edhe më shumë njohjen dhe adhurimin për Allahun; të dyja këto shpiejnë në më shumë vepra të adhurimit, duke krijuar një cikël pozitiv reagues, që rezulton në ngritje të lartë të progresit shpirtëror. Së dyti, thirrja racionale për ibadet qëndron në kuptimin e natyrshëm të tij. Po të ishte testi i jetës bartja e një guri gjigant nga pika më e ultë në një fushë deri te maja e një mali (dhe kthimi i gurit prapë në majë të malit sa herë që guri rrëshqet poshtë), qeniet njerëzore në mënyrë të natyrshme do të rebeloheshin kundër një misioni kaq të dhimbshëm e të pakuptimtë. Vështirësitë që përfshihen në ibadet janë, në të vërtetë, begati të fshehura, delikate në ëmbëlsinë e tyre. Ibadeti i Islamit është unik, ngaqë adhuruesve u dhuron breshëri të Mëshirës Hyjnore, është qenësisht me vlerë dhe nxit produktivitet, duke kombinuar një pikëmbështetje të qëndrueshme në tokë me një vështrim të prerë drejt amshimit dhe jetës që do të pasojë.

Përfundim

Meqë arritëm fundin, le të përsërisim çka është përmendur në Kuran: se natyra sublime e Zotit anulon mundësinë që Ai të veprojë pa ndonjë qëllim. Zoti i Lartëmadhëruar, duke e ditur se dyshimet nganjëherë mund të rrëshqasin nëpër mendjet e krijesave të Tij lidhur me mungesën e qartë të urtësisë vende-vende, thotë: “Nuk i kemi krijuar qiejt dhe tokën dhe ç’ka ndërmjet tyre për të luajtur (pa ndonjë qëllim). Ne ata dy i kemi krijuar me urtësi (qëllim të caktuar), por shumica prej tyre nuk e dinë.” [Ed-Duhan 44:39]. Allahu thotë, gjithashtu: “A keni menduar se ju kemi krijuar kot dhe se nuk do të ktheheni te ne? Pra, le të jetë lavdëruar Allahu, Sundues i Vërtetë, nuk ka tjetër Zot veç atij, Zot i gjithësisë fisnike.” [El-Mu’minun 23:115-116]. Madhështia e Krijuesit mund të vërehet në madhështinë e krijimit të Tij; s’do mend, dizajni i patëmetë i krijesave bën me gisht kah një Krijues, që është qëllimplotë dhe unik në urtësi – e jo kah dikush që i mungon urtësia dhe dobia.

Kurani poashtu pohon shkoqur se Zoti nuk ka nevojë për adhurim. Allahu thotë: “ai i cili merr rrugën e drejtë, atë e ka për të mirën e vet” [En-Neml 27:92]. Verseti që citohet më së shumti në lidhje me këtë është fjala e Allahut: “Unë nuk i kam krijuar njerëzit dhe xhinët veçse të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]. Është e rëndësishme të përmendet se versetet që pasojnë pas këtij verseti në mënyrë të qartë e mohojnë nevojën e Zotit për këtë adhurim: “Nuk kërkoj prej tyre furnizim as që dëshiroj të më ushqejnë. Allahu është me të vërtetë furnizuesi më i madh, i fortë i pathyeshëm!” [Edh-Dharijat 51:57-58]. Shumë fragmente në Kuran theksojnë se Zoti nuk fiton gjë nga të qenit i adhuruar, porse Ai është Dhuruesi i Madh për vepërmirët dhe vepërkëqinjtë njëlloj. Versete të tjera vërtetojnë se refuzimi i jobesimtarëve për Të nuk i bën asnjë dëm, ashtu siç besimi i besimtarëve nuk i bën Atij kurrëfarë dobie, në asnjë mënyrë. Më i Larti ka thënë: “Dhe Musa tha: “Në mohofshi ju edhe të gjithë së bashku kush është në tokë, ani, Allahu njëmend është i pavarur dhe i denjë për lavdatë.” [Ibrahim 14:8].

Pa i kushtuar vëmendje të mjaftueshme natyrës së Krijuesit të Plotfuqishëm dhe pa qasje në fjalët e Tij të zbritura, njeriu keqkupton duke e konsideruar Atë si një manifestim nevojtar apo narcisistik të mitologjisë antike – si zotat e dëshirave të flakta për vetëkënaqësi. Insistimi se Zoti nga egoizmi kërkon shërbim devocional nuk përbën as kuptim logjik e as praktik. Porse kjo rrjedh nga një imazh i gabuar për Zotin – një zot që kërkon për shkak të nevojës, apo që kërkon kot, pa nevojë. Për muslimanin/en, ai/ajo është i/e begatuar meqë e kupton se Zoti dëshiron të adhurohet dhe të respektohet nga krijesat e Tij jo pse ka nevojë për adhurim, por sepse Ai ka qejf ta shohë dobinë që e arrijmë ne nga ai adhurim. Në fund, i gjithë falenderimi i takon Allahut, Zotit të Gjithëmëshirshëm të të gjitha botëve.

Për autorin:

Muhamed Elshinawy ka të kryer letërsinë angleze në Universitetin e Brooklyn-it, në New York. Ai poashtu ka të kryer fakultetin e hadithit në Universitetin Islamik të Medines, kurse tani është në përfundim të Bachelor-it në Studimet Islamike të Universitetit Mishkah. Ai është përkthyes i disa veprave të rëndësishme për International Islamic Publishing House, për Asamblenë e Juristëve Myslimanë të Amerikës dhe për Universitetin Mishkah.

Përktheu: Festim Klinaku

Referencat

[1] Sami Ameri, Ph.D, është profesor i Studimeve Islame, autor i shumë librave mbi Islamin dhe filozofinë dhe bashkëthemelues i Iniciativës për Hulumtime Akademike të Religjionit Komparativ (Academic Research of Comparative Religion Initiative)

[2] Sahih Muslim (179); Muslim, Ibn El-Haxhaxh El-Kushejri. ([Bejrut]: Dar Ihja’ El-Kutub El-Arabījah, 1955) 1/161

[3] H. Diels dhe W. Kranz, eds., Die Fragmente der Vorsokratiker, Berlin: 1903, (pp. 15-16)

[4] Ibn Tejmije, Dar’ Ta‘aarud El-‘Akl uen-Nakl, Dar El-Kunūz El-Edebijja (Rijad, SA: 1391H), (4/35)

Kijas shumul është argumentim kategorik, që e përdor një rregull për të arritur te një përfundim për një gjë të caktuar, që i përket një kategorie më të madhe. Kijas temthil është një analogji e thjeshtë; kjo e krahason një gjë me një tjetër të ngjashme. Kijas Eula është analogji më e fuqishme; kjo e përdor tiparin e një sendi të caktuar për të arritur te një përfundim për një çështje madhore apo logjikisht më të domosdoshme.

[5] Er-Ragib El-Esfahaani, Mufradaat Elfadh El-Kuran. (Bejrut: Dar El-Kelam, 2009), p. 542

[6] Ibn Kajim El-Xheuzijeh, Muḥamed ibn Ebi Bekr. Medarixh Es-Salikin Bejne Menezil Ijjake Na‘budu Ue Ijjake Neste‘īn. (Beirut: Dar El-Kutub El-ʻArabī, 1996), 3/28

[7] Ibn Kajim El-Xheuzijeh, Muḥamedd. Miftaḥ Dar El-Sa‘ādah Ue Manshūr Uilājet El-‘Ilm Uel-Idārah. (Beirut: Dar El-Kutub El-‘Ilmījeh, 2002), 2/88-89

[8] Sahih Muslim (486), 1/352

[9] Koleksioni i Et-Tebarani në El-Eusat (4/44), El-Meruazi në Ta’dhim Kadr Es-Salat (1/267), Ibn Kethir-i në Et-Tefsir (8/297), dhe hadithe të cilësuara autentike nga El-Albani në Es-Silsila Es-Sahiha (941)

[10] Sahih El-Buhari (6309), Sahih Muslim (2747); El-Buhari, Mihamed ibn Ismail. Sahih El-Buhari. (Bejrujt: Dar Tawk En-Naxhah, 2002), 8/68; Sahih Muslim, ([Bejrut]: Dar Ihja’ El-Kutub El-Arabijah, 1955), 4/2104

[11] Sahih El-Buhari (6407), 8/86; Sahih Muslim (779), 1/539)

[12] Bret Pelham dhe Zsolt Nyiri, “Në vendet me fetari më të madhe, shkallë më të vogla të vetëvrasjeve” (In More Religious Countries, Lower Suicide Rates”), Gallup News, 3 Korrik, 2008: http://news.gallup.com/poll/108625/more-religious-countries-lower-suicide-rates.aspx

[13] Wu A., Wang J.Y., Jia C.X. “Religion and Completed Suicide: a Meta-Analysis”. PLoS One. Qershor, 2015, 25;10(6):e0131715. https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/26110867

[14] Ibn Rexhep, Xhami’ El-Ulum Uel-Hikam, (Bejrut: Mu’esesat Er-Riselah, 2001), 1/211-212.

Ibn Rajab, Jāmi’ Al-‘Ulūm Wal-Ḥikam, (Beirut: Mu’assasat al-Risālah, 2001), 1/211-212.

[15] Sahih El-Buhari (6435), 8/92.

[16] Ibn El-Kajim, El-Uabil Es-Sajib min El-Kalim Et-Tajib, (Damask, Dar El-Bejan, 1973), p.69

[17] Sahih El-Buhari (6306), 8/67

[18] Sahih Muslim (482), 1/350

[19] Sahih Muslim (395), 1/296.

[20] Sahih El-Buhari (7405), 9/121; Sahih Muslim (2675), 4/2061

[21] Ez-Zemakshari, El-Kashf ‘En Haka’ik Et-Tenzil ue ‘Ujun El-Ekawil fi Vuxhuh Et-Ta’wil, Dar El-Ma’rifa, Bejrut: 2009, p.502.

[22] Sahih El-Buhari (6405), 8/86

[23] Sahih Muslim (2698), 4/2703

[24] Ibn Kajim El-Xheuzijeh, Muhamed ibn Ebi Bekr. Medarixh Es-Salikin Bejne Menezil Ijjake Na‘budu Ue Ijjake Neste‘īn. (Bejrut: Dar El-Kutub El-Arabi, 1996), 3/352.