Përkundër rezultateve ka edhe shumë punë në zhvillimin ekonomik të Kosovës

Organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe me mbështetje të Qeverisë së Kosovës, të mërkurën në Qendrën e Panaireve në fshatin Shkabaj është hapur Panairi i 18-të i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2017” në të cilin u vlerësua se përkundër rezultateve të arritura ka edhe shumë punë në zhvillimin ekonomik.

“Edhe pse është vështirë të ndahet politika nga ekonomia, megjithatë kjo prani e vendeve të tjera tregon se zhvillimi ekonomik po e gjen rrugën e tij në mënyrë sa më të pavarur”, tha kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu duke hapur panairin.

Kreu I OEK-ut tha se panairi ka rëndësi ekonomike dhe është vend ku behët promovimi i prodhimeve, dhe kërkoi që për ekonominë duhet bërë më shumë se sa të flitet.

“Ky panair sa ka rëndësi ekonomike, ka edhe rëndësi promovuese. Ky panair dëshmon se për ekonomi duhet të bëhet më shumë se sa të flitet. Dua të besoj që së shpejti do ta kemi ligjin për tregti të brendshme dhe ligjin antidamping, tha Gërxhaliu.
I pari I Odës apeloi tek qarqet politike që të lënë anash inatet dhe përfitimet e grupeve dhe të bëhet më tepër që ky popull ta shijojë liberalizimin.

Kryetarja e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Ines Muçostepa tha se “ne si dy shtete kemi një treg të përbashkët ekonomik për të cilin ne do të duhet të punojmë dhe do të doja që prezente të ishin shumë kompani nga Shqipëria”, tha ajo.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert tha se sot për te është një ditë e veçantë se po ndodh në Kosovë dhe se pajtohem me presidentin Gerxhaliu që zhvillimi ekonomik është garanci e stabilitetit politik dhe social dhe në të njëjtën kohë theksoi se sundimi i rendit dhe ligjit duhet te janë prioritet nëse mendohet te ketë investime dhe investitor të jashtëm.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, potencoi rëndësinë që kanë investimet në ekonomi dhe kërkoi përkrahjen e bizneseve duke kërkuar nga institucionet të ndihmojnë njerëzit e biznesit, sepse ata dinë të krijojnë vende pune.