Përkujtohet profesori Qemajl Morina, vlerësohet si njeri vizionar me kontribut shumë dimensional (Video)

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka mbajtur akademi përkujtimore me rastin e vdekjes së profesorit Qemajl Morina.

Në këtë akademi u çmua lartë vepra dhe jeta e profesor Morinës.

Drejtori për Kulturë në BIK, Ramadan Shkodra, profesorin Morina e ka kujtuar si njeri vizionar.

“Profesori Qemajli gjatë veprimtarisë së tij u shqua për përkushtim në punë, vizion në projekte, qetësi në realizimin dhe finalizimin e tyre”, ka thënë Shkodra.

Myftiu Naim Tërnava tha se vepra e profesorit Qemajl Morina do të kujtohet dhe vlerësohet lartë.

“Profesori Qemajli bëri shumë për parimin kulturor, gjithëmbarshëm të shqiptarëve. Në të tilla raste fjalët duken të pakta. Shumë gjëra të tjera do na mbesin pa i përmendur. Për profesorin Qemajlin do të flitet e do të përmendët gjatë, shumë gjatë. Çfarëdo që të them jam i bindur se do të thuhet e pakta, koha do të jetë vlerësuesja e denjë e veprës së profesorit Qemajli. Profesor Qemajli ka qenë njëri i shumë anshëm edhe kontributi i tij është shumë dimensional”, tha Tërnava.

Dekani i fakultetit të studimeve Islame, Fahrush Rexhepi, tha se ndarja nga jeta e profesorit Qemajl Morina është humbje e madhe.

“Ndarja nga jeta e profesor Qemajlit është ngjarje e dhimbshme sepse largimi i tij do të krijojë boshllëk të madh jo vetëm në familje, por edhe në rrethin intelektual. E njihnim për njeri të urtë, të sinqertë dhe tolerant”, tha Rexhepi, raporton EO.

 Djali i profesorit të ndjerë, Fuad Morina, falënderoi Bashkësinë Islame për organizmin dhe ngushëllimet me rastin e vdekjes së babait të tij.

“Faleminderit Bashkësisë Islame për nderimin që po i bëni babit tim. Në emër të familjes ju shpreh falënderimin për organizimin e akademisë përkujtimore”, tha ai.

Profesori Qemajl Morina ndërroi jetë më 22 shkurt.

Së fundi ai kishte botuar librin “Studime kontrasteve mes gjuhës shqipe dhe gjuhës arabe në fonologji”.

SHPËRNDAJE