Përfundon objekti banesor në Stantërg

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar sot objektin banesor në Stantërg të Mitrovicës, të ndërtuar për 17 familje në nevojë, në të cilin janë duke u realizuar punimet përfundimtare.

Kryeparlamentari Veseli tha se ndërtesa e re do të evitojë një nga realitetet më të hidhura të Kosovës, në të cilin këto familje kanë jetuar për vite me radhë.

“Këto familje do të vendosen shumë shpejt në banesat e reja, me kushte sipas standardeve evropiane. Për mua ishte lehtësim shpirtëror kur u futa këtu, sepse këto familje i kam vizituar edhe më parë, në ambientet me kushte jashtëzakonisht të renda jetese”, theksoi kryeparlamentari Veseli, duke shtuar se ky objekt nuk mund të finalizohej pa mbështetjen e gjithanshme të Qeverisë dhe të Kuvendit.

Ndërtimi i këtij objekti banesor ishte premtim i kryeparlamentarit Veseli, gjatë vizitave të realizuara kohë më parë në objektin në të cilin jetonin këto familje.

Kryetari Veseli tha se nuk është e vështirë të mbahen premtimet, ngase, siç tha ai, ky është obligim i bartësve të përgjegjësive institucionale, ndërsa detyrë e qytetarëve është ta duan dhe respektojnë shtetin e tyre. Veseli tha se Kosova ka mundësi të bëhet Zvicra e Ballkanit.

Banorët, ndërkaq, falënderuan përzemërsisht kryeparlamentarin Veseli për mbajtjen e premtimit, duke e konsideruar atë meritor për ndërtimin e banesave të tyre të reja dhe largimin njëherë e përgjithmonë nga objekti i deritashëm, i cili nuk i përmbush as kushtet minimale për jetesë.

vess1vess2vess3vess4vess5