Për tetë muaj 30 të arrestuar për prostitucion, 6 të mitur viktima të trafikimit

Tetë persona janë arrestuar pasditen e 28 gushtit në Prishtinë për veprat penale ‘mundësim ose detyrim në prostitucion’, ‘ofrim i lokaleve për prostitucion’ dhe bashkëkryerje. Si provë materiale nga të dyshuarit ishin konfiskuar disa telefona mobilë.

E këta nuk janë të vetmit që janë arrestuar për prostitucion, që nga fillimi i vitit e deri në muajin gusht janë arrestuar 30 persona për këtë vepër penale, shkruan Gazeta Express

E kishte strehuar viktimën në katin e dytë të furrës së tij dhe kishte kryer marrëdhënie seksuale pa vullnetin e saj për tri ditë rresht.

Pasi e kishte dhunuar, A.S nga Banja e Istogut e kishte shitur viktimën për 50 euro tek një person nga Prizreni, i cili po ashtu kishte vazhduar ta dhunonte.

Tërë kjo ngjarje kishte ndodhur gjatë muajve gusht-shtator të vitit 2012. Ndërkaq pas shtatë vitesh, saktësisht në muajin gusht të vitit 2019, Gjykata Themelore e Pejës ka vendosur masën e arrestit shtëpiak.

E gjatë tetë muajve të parë të këtij viti u arrestuan gjithsej 30 persona për veprën penale ‘Marrje me Prostitucion’.

Në statistikat e Policisë së Kosovës thuhet se marrja me prostitucion është vepër kundërvajtëse dhe është e dënueshme për të dy gjinitë.

“Nga fillimi i këtij viti e deri në fund të muajit gusht 2019 për veprën kundërvajtëse ‘Marrje me Prostitucion’ janë arrestuar gjithsej 30 persona. Ashtu siç edhe parashihet me ligjet e R. Kosovës, Marrja me Prostitucion është vepër kundërvajtëse dhe është e dënueshme për të dy gjinitë, te kjo vepër nuk ka viktima”, theksohet në përgjigjen e policisë.

Përveç prostitucionit, kosovarët po merren edhe me trafikim të njerëzve. E viktima të kësaj vepre penale kanë qenë 12 viktima, 8 nga të cilat janë shfrytëzuar për prostitucion.

“Ndërsa kur kemi të bëjmë me veprën penale të trafikimit me njerëz janë të identifikuara gjithsej 12 viktima të trafikimit, prej tyre 08 janë shfrytëzuar për prostitucion”, thotë policia.

Ndërkaq bëhet e ditur se ka persona të trafikuar edhe nën moshën 18-vjeçare.

“Prej 12 viktimave të trafikimit me njerëz sa janë identifikuar në periudhën Janar-Gusht 2019, 6 prej tyre kanë qenë nën moshën 18-vjeçare, ndërsa 6 mbi këtë moshë”, kanë thënë nga zyra për informim e PK’së.